Botë

“Pse? Pse? Pse?” – Banorët e Mariupolit të tronditur me vrasjet e fëmijëve

Trupat e fëmijëve janë kudo, të lënë në një kanal të gropuar në tokën e ftohtë të Mariupolit nën zhurmat e vazhdueshme të bombardimeve.

Aty është Kirill, 18-muajsh, plaga në kokën e të cilit ishte shumë e rëndë për trupin e tij të vogël. Aty është edhe 16-vjeçari Iliya, këmbët e të cilit u hodhën në erë nga shpërthimi gjatë një loje në fushën e shkollës. Është vajza jo më e madhe se 6 vjeç e cila veshur kishte pizhamet me figura të njëbrirëshve, në mesin e fëmijëve të parë të Mariupolit të cilët vdiqën nga bombardimet ruse.

Ata janë bashkë me dhjetëra të tjerë në një varr masiv. Një burrë i mbuluar me një mbulojë të kaltër, një grua e mbështjellë në çarçafë të kuq, këmbët e së cilës janë lidhur te nyjat me një copë të bardhë, të gjithë në një vend. Punonjësit hedhin trupat sa më shpejtë që munden, sepse sa më pak kohë që të shpenzojnë në ambient të hapur, aq më shumë shanse kanë për mbijetesë.

“E vetmja gjë që dua është që kjo të përfundojë”, ka thënë punëtori Volodymyr Bykovskyi, i cili po nxirrte trupat në qeset e zeza nga kamioni. “Mallkuar qofshin të gjithë, ata njerëz që e filluan”.

Më shumë trupa do të vijnë, nga rrugët ku ata janë gjithkund dhe nga bodrumet e spitaleve ku të rritur e fëmijë janë të shtrirë duke pritur që dikush t’i marrë. Më të vegjlit ende kanë kordonin e kërthizës të ngjitur në vete.

Ky qytet i 430,000 njerëzve është bërë simbol i presidentit rus Vladimir Putinit për ta shkatërruar Ukrainën demokratike – por edhe i një rezistence të fuqishme. Qyteti tani është i rrethuar nga ushtarët rusë.

Disa përpjekje për korridore humanitare për të evakuuar civilët dështuan. Sulmet ajrore ruse kanë goditur spitalin e maternitetit, departamentin e zjarrfikësve, shtëpi, kisha, një fushë jashtë një shkollë. Për qindra të tjerë që ende kanë mbetur në Mariupol, nuk ka një vend ku mund të shkojnë.

Rrugët e rrethuara janë të minuara dhe porti është bllokuar. Ushqimi po shkon drejt fundit dhe forcat ruse kanë ndaluar ndihmat humanitare të hyjnë në qytet. Elektricitet nuk ka në shumicën e zonave, ashtu si edhe ujë, me banorët që po shkrijnë borën që ta pinë. Disa prindër madje kanë lënë të porsalindurit e tyre në spital, ndoshta me shpresën për t’u dhënë atyre një mundësi jete në një vend me elektricitet dhe ujë të mjaftueshëm.

Njerëzit po djegin orenditë e shtëpisë për të ngrohur duart e tyre në të ftohtin e acartë dhe gatuajnë atë pak ushqim që kanë.

Vdekja është kudo. Zyrtarët lokalë kanë regjistruar më shumë se 2500 të vdekur, por shumë trupa nuk mund të numërohen për shkak të bombardimeve të vazhdueshme. Ata u kanë thënë familjarëve që t’i lënë të vdekurit jashtë në rrugë sepse është shumë e rrezikshme të mbahen funerale.

Shumë nga të vdekurit që Associated Press ka dokumentuar, kanë qenë gra dhe fëmijë, edhe pse Rusia pretendon se civilët nuk janë sulmuar.

“Ata kanë një urdhër të qartë që ta mbajnë Mariupolin peng, ta përqeshin, ta bombardojnë vazhdimisht”, ka thënë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, më 10 mars.

Vetëm javë më përpara, e ardhmja e Mariupolit dukej shumë më e ndritur.

Nëse gjeografia përcakton fatin e një qyteti, Mariupoli ishte në rrugën drejt suksesit, me fabrikat e hekurit dhe çelikut dhe kërkesën globale të lartë për të dyja këto.

Rreth 100,000 njerëz u larguan në ditët e para të pushtimit, por shumica qëndruan.

“Ndjeva më shumë frikë më 2014, nuk ndjej të njëjtën panik tani”, ka thënë Anna Efimova më 24 shkurt.

Në të njëjtën ditë, një aeroport ukrainas ishte ndër targetet e para të ushtrisë ruse. Bombardimet mund të ndodhnin kurdo dhe njerëzit kaluan shumicën e kohës në streha.

27 shkurt, kjo filloi të ndryshojë, teksa një ambulancë po nxitonte në një spital të qytetit me një vajzë në të që s’kishte mbushur ende 6 vjeç. Flokët e saj të kafenjtë u larguan nga fytyra e saj e zverdhur dhe pantallonat e saj ishin të përgjakur. Derisa mjekët dhe infermierët u mblodhën rreth saj, njëri i dha një injeksion. Tjetri tentoi ta ringjallte me elektroshok. Një mjek në të kaltër, pompoi oksigjen brenda saj, dhe kur pa kamerat e AP-së i lejoi të xhironin teksa mallkonte me zë.

“Tregojani këtë Putinit. Sytë e këtij fëmije dhe mjekët që po qajnë”.

Ata nuk mundën ta shpëtonin. Mjekët e mbuluan trupin e vogël dhe qetë ia mbyllën sytë. Tani ajo pushon në varrin masiv.

Marrja e Mariupolit do t’i jepte rusëve një korridor përmes, duke kontrolluar Derin Azov.

Kur shkurti përfundoi, rrethimi filloi. Duke injoruar rrezikun, ose ndoshta duke u ndjerë të padukshëm siç adoleshentët bëjnë, një grup djemsh u mblodhën ditë më vonë, më 2 mars, për të luajtur futboll.

Një bombë eksplodoi. Shpërthimi shqeu këmbët e Iliyas. Ai nuk mundi të shpëtojë. I ati e përqafoi kokën e djalit të tij dhe shpërtheu në lot.

4 mars, ishte një tjetër fëmijë në dhomën emergjente – Kirill, koka e së cilit u godit nga një copëz bombe. Nëna dhe njerku i tij e mbështollën me një batanije. Ata shpresuan për më të mirën, por përjetuan më të keqen.

“Pse? Pse? Pse?” nëna e tij duke vajtuar pyeti, teksa mjekët po e shikonin të pashpresë. Ajo hoqi batanijen nga djali i pajetë, e puthi dhe i mori erë për herë të fundit.

Kjo agoni përshtatet me qëllimet e Putinit. Rrethimi është një taktikë ushtarake e popullarizuar dhe e dizajnuar ta shkatërrojë një popullatë përmes urisë dhe dhunës.

Putini ka përmirësuar taktikën gjatë viteve në pushtet sa ka qenë, fillimisht me qytetin çeçen të Groznyt më 2000 dhe më pas në Aleppo të Sirisë më 2016.

9 mars, zhurmat e avionëve luftarakë në Mariupol ishin të mjaftueshme që t’i bënin njerëzit të tmerroheshin. Ata shkaktuan një krater të madh në një fushë pasi goditën spitalin e maternitetit.

Shpëtuesit nxituan një shtatzënë përmes rrënojave derisa ajo shtrëngonte barkun e përgjakur. Foshnja po i vdiste brenda në bark, dhe ajo e dinte këtë.

“Më vrisni tani”, bërtiti ajo, derisa ata po mundoheshin t’ia shpëtonin jetën në një tjetër spital edhe më afër frontit të luftës.

Foshnja u lind e vdekur. Një gjysmë ore më vonë, edhe nëna vdiq. Mjekët nuk patën kohë të mësonin emrat e asnjërit.

Një shtatzënë tjetër, Mariana Vishegirskaya, po priste të lindte në spitalin e maternitetit kur u godit. Vetulla dhe faqja iu gjakosën, ajo mori gjërat e saj dhe përmes shkallëve arriti të dalë. Ajo lindi fëmijën ditën tjetër.

Dy gratë – njëra e vdekur e tjetra tash nënë – që nga atëherë janë bërë simbol i vendlindjes së tyre të rrënuar.

Dy ditë pasi Mariana lindi, katër tanke ruse me shkronjat Z u pozicionuan afër spitalit ku ajo ishte. AP-ja ishte aty me një grup mjekësh kur u gjuajtën me armë, e njëri u plagos.

Në fillim të javës, forcat ruse morën kontrollin e të gjithë ndërtesës, duke bllokuar mjekët dhe pacientët brenda dhe duke e përdorur si bazë.

Nënkryetari i qytetit ka thënë se më e keqja ende nuk ka ndodhur në Mariupol.

{gallery}

Përktheu: Emine Shehu