Botë

Pekini në kohërat e koronavirusit

Shitoret e “Apple” ishin ndër vendet më të frekuentuara që mbaheshin hapur në Pekin edhe pas përhapjes së koronavirusit, ani pse punonjësit ua ndalonin klientëve të provonin orët ose “AirPod”-ët.

Disa kishin ardhur për punë. "Llaptopi im është i prishur”, thotë një grua. Për të tjerët, ky vend ishte një mundësi e rrallë dhe shkëputje nga izolimi, ankthi dhe frika, që e kanë kapluar qytetin prej 23 milionë banorësh, qëkur epidemia filloi të përhapej prej pjesës qendrore të Kinës, transmeton Koha Ditore shkrimin e New York Times.

Tani dyqanet janë mbyllur, bashkë me teatrot, muzetë, kinematë, tempujt, berberët, floktarët, baret karaoke, si dhe shumicën e restoranteve. Qyteti i ndaluar është mbyllur "deri në njoftimin e mëtejshëm", siç ka ndodhur edhe me një pjesë të frekuentuar të Murit të Madh në kodrat me erë, në verilindje, larg nga zonat e dendura urbane.

Pekini nuk është nën një bllokim të rreptë, të urdhëruar nga Qeveria, si ka ndodhur me Wuhanin dhe qytetet e tjera në epiqendër të epidemisë. Sidoqoftë, qyteti ka vendosur kufizime në pothuajse çdo sferë të jetës që nga shpallja e "nivelit më të lartë të urgjencës së shëndetit publik", më 24 janar.

Kjo mbyllje u bë, pasi shumë qytete në tërë Kinën vepruan kështu, duke e çrregulluar përditshmërinë dhe duke krijuar pamje distopike të një vendi të shpopulluar papritur.

Fletushkat nga Qeveria e Pekinit janë vendosur në dritaret e dyqaneve dhe ndërtesave të apartamenteve, duke u bërë thirrje të gjithëve të marrin masat e domosdoshme. Banorët u inkurajuan t’i shmangin "vendet e mbushura me njerëz ose tubimet publike" - megjithëse shumica e tyre, përfshirë festivalet në kuadër të Vitit të Ri Hënor, u anuluan.

Armiqësia ndaj të ardhurve

Shumë dyqane dhe qendra tregtare kanë vendosur kontrolle të temperaturës trupore të secilit që hyn. Disa, përfshirë “Yves Saint Laurent” në zonën e njohur për blerje, “Sanlitun”, kanë postuar shenja që refuzojnë hyrjen e kujtdo që nuk ka maskë.

Dyshimi është bërë si sëmundje ngjitëse. "Qëndro atje", paralajmëroi një burrë duke luajtur badminton me vajzën e tij në Parkun Chaoyang, teksa të dytë bartnin maska. "Mos na u afro".

Si shumica e qyteteve të mëdha, Pekini është një vend i atyre që vijnë gjithandej Kinës, në kërkim të një jete më të mirë....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)