Pas thirrjes telefonike, Bo Kyar Yine thotë se po bën përpjekje që t’i bindë dy djemtë që t’i bashkohen rezistencës. “Nuk po dëgjojnë, prandaj do të varet nga fati nëse takohemi në betejë”. “Në një grusht kokrrash, janë dy-tri copa më të forta. Kështu është edhe në familje”, thotë ai. “Është e mundur se disa prej tyre nuk janë të mira”.
“Jam i sigurt se do të vras – nëse unë shtie i pari”, ia tërheq vërejtjen babai. Është në telefon me të birin, i cili po shërben në ushtrinë e Birmanisë.
Bo Kyar Yine iu bashkua rezistencës së armatosur pas grusht shtetit ushtarak që rrëzoi Qeverinë e Birmanisë të zgjedhur në mënyrë demokratike në shkurtin e vitit 2021. Lufta brutale që pasoi ka ndarë familjen e tij. Ai tani po lufton kundër juntës ushtarake për të cilën është i angazhuar i biri i tij.
“Mund të më japësh një rast si babai yt, por nuk do të të kursej”, i thotë të birit, Nyi Nyi, qëndron i ulur në mal. “Jemi të brengosur për ty”.
“Edhe unë jam i brengosur për ty baba. Më inkurajove që të bëhesha ushtar”, i përgjigjet i biri.
Bo Kyar Yine ka dy djem në forcat e armatosura. I madhi nuk ia hap më telefonin.
“Ushtria shkatërron shtëpitë, po i djeg ato”, thotë Bo Kyar Yine, duke e lutur të birin që ta braktisë ushtrinë. “Vret njerëz, po vret protestuesit dhe fëmijët pa ndonjë arsye. Po dhunon gratë. Ndoshta nuk i di këto”, thotë babai.
“Kështu e sheh ti, baba. Ne nuk e shohim në këtë mënyrë”, përgjigjet Nyi Nyi me plot respekt. Ani pse mohohen, ushtria ka kryer krime dhe janë shumë mirë të dokumentuara.
Pas thirrjes telefonike, Bo Kyar Yine thotë se po bën përpjekje që t’i bindë dy djemtë që t’i bashkohen rezistencës. “Nuk po dëgjojnë, prandaj do të varet nga fati nëse takohemi në betejë”. “Në një grusht kokrrash, janë dy-tri copa më të forta. Kështu është edhe në familje”, thotë ai. “Është e mundur se disa prej tyre nuk janë të mira”.
Bo Kyar Yine dhe bashkëshortja e tij Yin Yin Myint kanë tetë fëmijë – kur dy prej tyre u thirrën për ushtri, ishin fort krenarë. Babai mbante foton e diplomimit të tyre ushtarak. Të bijtë iu bën oficerë.
Është krenari e madhe t’i kesh djemtë ushtarë, thotë ai. Ishte koha kur njerëzit në pjesën qendrore të Birmanisë mirëprisnin ushtarët me lule.
Yin Yin Myint thotë se krejt familja punonte në ara për të fituar para me qëllim që djemtë të arsimoheshin dhe t’i bashkoheshin ushtrisë.
Para luftës civile, puna në Tatmadaw, siç njihen forcat e armatosura, do të ofronte status më të lartë social dhe ekonomik për familjen.
Mirëpo grusht shteti i vitit të kaluar ndryshoi gjithçka.
Kur Bo Kyar Yine shihte ushtrinë se si po vriste protestuesit e paarmatosur pro demokracisë, nuk mund të mbështeste më atë dhe u kërkoi djemve që të largoheshin nga ushtria.
“Përse qëllonin dhe vrisnin njerëzit që protestonin? Përse i torturonin ata? Përse vrisnin njerëz pa pikë arsyeje?”, pyet ai, teksa përtyp një arrë në bazën e rezistencës në pyll.
Thotë se i është copëtuar zemra nga krejt këto ngjarje.
Para grusht shtetit, Bo Kyar Yine ishte bujk që nuk mbante armë. Tani, është lider i njësisë së milicisë civile.
Janë pjesë e rrjetit të gjerë të quajtur Forcat e Mbrojtjes së Popullit. Ata po luftojnë për kthimin e demokracisë. Kanë përballë ushtri më të madhe dhe shumë të armatosur.
Ushtarëve tani u referohet si “qentë”, term fort poshtëruese në Birmani.
“Kur tufa e qenve vjen në fshat, dhunojnë gratë, djegin shtëpitë dhe plaçkitin... Duhet të jemi kundër tyre”, thotë ai.
Bo Kyar Yine i prin njësisë prej 70 ushtarësh që e quajnë veten “Tigrat e Egër”. Kanë vetëm tri armë automatike.
Katër prej djemve të tjerë janë duke luftuar përkrah babait. Dy djemtë në ushtri janë të pozicionuar vetëm 50 kilometra larg bazës së rebelëve.
“Menduam se mund të mbështeteshim në djemtë tanë ushtarë”, thotë Yin Yin Myint. “Por tani po na shqetësojnë”.

“Të shtënat si shi”
Ishte ora 3 e mëngjesit në fund të shkurtit, kur njësia PDF e Bo Kyar Yine mori një telefonatë nga fshati aty pranë. Ushtria po i sulmonte.
“Kemi nevojë për ndihmë, qentë [ushtarët] kanë hyrë në fshatin tonë, ejani të na ndihmoni. Na dërgoni përforcime”, ishte mesazhi.
Min Aung, djali i dytë, ishte i pari që u bë gati të largohej. Nëna e tij, duke e ditur se nuk mund ta ndalonte, u lut për kthimin e tij të sigurt.
Tigrat e Egër u larguan me kolonë motoçikletash. Bo Kyar Yine hipi në pjesën e përparme me Min Aung, duke udhëhequr njësinë si zakonisht.
Ata po udhëtonin përgjatë një rruge të njohur që kishte qenë e sigurt në të kaluarën kur u zunë pritë.
“Nuk kishim mbulim, as pemë të mëdha apo diçka tjetër”, thotë Min Naing, djali tjetër. “Na qëlluan si kokoshkat”, thotë ai. “Ne ishim në fushën e vrasjes. Armët tona nuk përputheshin me të tyret”.
Bo Kyar Yine i urdhëroi ata të tërhiqeshin. Ata u mbuluan pas një dige orizi.
“Dikush prej tyre dukej se më njihte”, thotë Bo Kyar Yine. Ai ndjen se ishte cak i kësaj prite. “Unë qëllova drejt tyre, ndërsa fillova të vrapoja dhe pastaj vazhdova të gjuaja dhe vrapoja”.
Yin Yin Myint po priste me ankth në kamp dhe mund të dëgjonte se çfarë po ndodhte. “Të shtënat me armë ishin aq të vazhdueshme sa dukej sikur po binte shi”, thotë ajo mes lotësh.
Pak orë pas pritës, ushtria postoi fotografitë e të vdekurve në Facebook, duke u mburrur se kishin vrarë 15 persona.
Ishte atëherë që Yin Yin Myint kuptoi se kishte humbur Min Aung, fëmijën me të cilin ishte më afër.
“Djali im u kujdes shumë për mua”, thotë ajo. “Ai do të më pastronte kuzhinën për mua. Më lante rrobat. Ai mblidhte teshat pas tharjes. Ishte shumë i mirë me mua”.
Në qershor, ushtarët dogjën shtëpinë e familjes dhe të gjitha pasuritë e tyre së bashku me 150 shtëpi në fshatin e tyre. Ka pasur sulme nga ushtarë në të gjithë vendin, veçanërisht në qendrën e Birmanisë.
Duket e sigurt se ushtria e dinte rolin e Bo Kyar Yine në rezistencë - nuk është e qartë nëse ata janë të vetëdijshëm se ai ka djem në forcat e armatosura.
Yin Yin Myint po lufton për të përballuar gjithçka që ka humbur.
“Më është djegur shtëpia dhe kam humbur djalin tim. Nuk i duroj dot të gjitha. Mendja ime nuk është tamam me trupin tim, është sikur jam e çmendur”, thotë ajo.
Që kur ushtria mori pushtetin, më shumë se 1.1 milion njerëz në të gjithë Mianmarin janë zhvendosur dhe të paktën 30,000 shtëpi janë djegur.
Më shumë se 2 mijë e 500 njerëz janë konfirmuar të vrarë nga forcat e sigurisë që nga grusht shteti, thotë Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë. Shifrat totale të viktimave nga të dyja palët vlerësohen të jenë 10 herë më të larta, sipas të dhënave nga grupi i monitorimit të konfliktit Acled. Ushtria ka pranuar humbjet në fushën e betejës, por nuk ka dhënë detaje.
Familja u përpoq për dy ditë të merrte trupin e Min Aung, por ishte e pamundur sepse ushtarët ruanin zonën. As eshtrat nuk mund t'i merrja, thotë nëna e tij. “Jam e zemëruar për këtë. Unë dua të shkoj të luftoj, por nuk do të më marrin sepse jam një grua mbi 50 vjeç”.
“Nuk do të kursej askënd”
Bo Kyar Yine beson se kryengritja popullore do të fitojë dhe do të rindërtojë shtëpinë e familjes. Por ndërsa lufta civile intensifikohet, kjo ëndërr është e largët.
Teksa dy djemtë e tij të mesëm refuzojnë të largohen nga ushtria, familja mbetet e ndarë, duke reflektuar ndarjet e kombit.
“Ne nuk po luftojmë ushtrinë sepse e duam”, i thotë Bo Kyar Yine djalit të tij ushtar.
“Kjo është për shkak se udhëheqësit tuaj të qenve janë të padrejtë, kështu që ne duhet të luftojmë. Për shkak të jush, vëllai juaj është marrë”.
Nyi Nyi përgjigjet se ai e di se vëllai i tij ka vdekur.
“Eja dhe shiko fshatin tënd, tani është bërë hi”, i thotë babai i tij me inat. “Ne nuk mund të ruanim as fotot tuaja. Sa më dhemb zemra”. Më pas Bo Kyar Yine paralajmëron djalin e tij.
“Nëse vini në zonën time dhe filloni një betejë, unë nuk do t'ju kursej ty dhe askënd. Unë do të qëndroj vetëm me njerëzit - nuk mund të qëndroj me ju”, thotë ai, para se ta mbyllë telefonin.
*Të gjithë emrat në raport të BBC-së dhe detajet e vendndodhjeve janë fshehur për të mbrojtur identitetin e njerëzve