Zbulimi i rrjeteve amerikane të spiunazhit në Kinë kishte shkaktuar midis Pekinit dhe Washingtonit një luftë botërore njëdekadëshe
Revista amerikane, “Foreign Policy”, ka zbardhur hollësi të shumta të një aksioni të hakerëve kinezë për ekspozimin e agjentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Afrikë dhe Evropë. Në shkrimin e gjatë bëhet e ditur se agjencitë kineze të spiunazhit ia kishin dalë që të vidhnin informacione, të cilat do t’i përdornin pastaj për ekspozimin e operuesve të Agjencisë Qendrore Amerikane.
Përgjim masiv
FP-ja shkruan se personeli i inteligjencës amerikane, që po ndërmerrte fluturime nëpër shtete të Afrikës dhe Evropës për të kryer punë të ndjeshme, ishte identifikuar dhe përgjuar me sukses nga spiunët e Kinës, sipas konfirmimit të tre ish-zyrtarëve amerikanë të inteligjencës.
“Përgjimi nga operativët kinezë nisi në disa raste në momentin që zyrtarët e CIA-s kishin kryer kontrollet kufitare të pasaportave. Nganjëherë, përgjimi ishte aq i dukshëm, saqë në herë-herë zyrtarët e inteligjencës spekulonin se kinezët donin që kolegët amerikanë t’i kishin identifikuar si operativë të CIA-s, duke ua çuar dëm misionet; herëve të tjera, megjithatë operacioni ishte shumë më subtil dhe detektohej vetëm nga kapacitetet e sofistikuara teknologjike të njësiteve të kundërterrorizmit të agjencive amerikane të spiunazhit”, shkruan FP-ja.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë pasur muajve të fundit përplasje të thella diplomatike për shkak të akuzave e kundërakuzave për operacione të mëdha spiunimi. SHBA-ja mbylli konsullatën kineze në Huston në vjeshtë, duke nxitur reagimin e ashpër të Kinës. Më vonë u njoftua se edhe tetëqind shtetas kinezë, të cilët besohet se ishin pjesë e agjencisë kineze të spiunazhit, u larguan nga SHBA-ja pasi që disa prej tyre ishin intervistuar nga shërbimet amerikane të inteligjencës. Washingtoni ka hedhur dyshime se në mesin e tyre kishte edhe studentë që pretendonin se kishin shkuar në Amerikë vetëm për qëllime studimore.
CIA “përfiton” nga ngritja e aktivitetit kinez
Ngritja e aktivitetit kinez të spiunimit në SHBA ka qenë edhe pjesë e debatit zgjedhor për presidencialet e 3 nëntorit, të cilat i fitoi demokrati Joe Biden. Presidenti në largim, Donald Trump, ka akuzuar disa herë Kinën se po kryen operacione spiunimi që kanë për qëllim edhe vjedhjen e pronës intelektuale amerikane.
Në shkrimin e revistës “Foreign Policy” thuhet se burimet brenda CIA-s kanë vlerësuar që agjencitë amerikane të inteligjencës po përfitojnë prej ngritjes së aktivitetit kinez të inteligjencës matanë kufijve kombëtarë, sepse po mund të rekrutohen burime të reja.
“Nuk mund t’i rekrutojmë në Pekin, por mundemi në Gjibuti”, ka thënë burimi i revistës, duke bërë të ditur se agjentë kinezë po rekrutohen edhe nëpër shtetet përgjatë projektit të Rripit dhe Rrugës, nëpërmjet të cilit Kina po mundohet të shtrijë ndikimin ekonomik dhe politik, duke synuar që të ketë një rrugë të sigurt për transportimin e mallrave kineze edhe drejt tregut evropian. Zyrtari ka thënë se në të kaluarën ka qenë e vështirë që të rekrutoheshin rusë dhe kinezë në Afrikë. Kina ka ngritur viteve të fundit përpjekjet për t’iu kundërvënë nismave amerikane për detektimin e operativëve kinezë në kontinente të ndryshme.
Luftë kontrolli
Agjencitë kineze të inteligjencës kishin filluar të shënonin disa suksese në betejën e kundërzbulimit në Afrikë në raport me amerikanët. Dhe kjo kishte nisur t’i shqetësonte liderët e stacioneve të CIA-s nëpër shtete të ndryshme afrikane. Megjithatë, kinezët ia kishin dalë që të siguronin një mori informacionesh nëpërmjet sulmeve kibernetike, duke siguruar informacione private të agjentëve. Dhe njëri prej ish-zyrtarëve të lartë të inteligjencës amerikane ka deklaruar për FP-në se sulmi dhe sigurimi i të dhënave private dhe qeveritare amerikane nga ana e kinezëve përbënte “një problem të madh”.
“Lufta për të dhënat – kush i kontrollon, kush i siguron, kush mund t’i vjedhë dhe se si mund të përdoren për qëllime ekonomike dhe sigurie – është përcaktues në konfliktin botëror ndërmjet Washingtonit dhe Pekinit”, shkruan revista amerikane. “Të dhënat tashmë kanë formësuar në mënyrë kritike rrjedhën e politikës kineze, dhe po ndryshon rrjedhën e politikës së jashtme amerikane dhe të mbledhjes së informacioneve të inteligjencës në mbarë globin”.
Ndryshimi i metodave
William Evanina, zyrtar i lartë amerikan i kundërinteligjencës, ka thënë se Kina është prej kolektorëve më të mëdhenj të të dhënave personale në mbarë botën, “duke përdorur mjetet legale dhe ilegale”.
Zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë bërë të ditur për FP-në se kinezët po ia dalin që të sigurojnë edhe të dhëna personale të shumicës së popullsisë amerikane, përfshirë ato për shëndetin, financat, udhëtimet dhe çështje të tjera të ndjeshme.
“Në botën e inteligjencës, ‘informacioni është mbret, dhe sa më shumë ka informacione, aq më mirë është’”, ka thënë Steve Ryan, i cili kishte shërbyer deri më 2016 si zëvendësdrejtor i Qendrës për Operacionet e Kërcënimit në kuadër të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, tani shef ekzekutiv i shërbimit të sigurisë kibernetike, “Trinity Cyber”.
Ky është një tjetër lloj spiunimi. Ndryshe prej kohës së Luftës së Ftohtë, kur spiunazhi bazohej kryesisht në rekrutimin e resurseve njerëzore apo në sigurimin e ndonjë dokumenti a raporti sekret, përplasja amerikano-kineze po zhvillohet në rrafshin kibernetik. Dhe ekspertët e sigurisë vlerësojnë se sigurimi i të dhënave të përditshmërisë krijon mundësinë për hartimin e vlerësimeve për zhvillimet dhe perceptimet në shtetet rivale.
Ambiciet e mëdha kineze
Dhe në thelb, vlerësojnë zyrtarët dhe ish-zyrtarët amerikanë të inteligjencës, Kina beson se mbledhja e të dhënave është çelës për sigurinë: Siguron stabilitetin e regjimit kundrejt kërcënimeve të brendshme dhe të jashtme për Partinë Komuniste Kineze.
“Ishte kombinim i atyre kërcënimeve që krijuan shtysë për fushatën agresive kineze të kundërzbulimit kundër Shteteve të Bashkuara”, vlerësohet në shkrimin e “Foreign Policy”.
CIA ka refuzuar të komentojë shkrimin e revistës amerikane. Ndërkaq, Ambasada kineze në Washington nuk u është përgjigjur kërkesave të shumta për komentim.
Kina kishte akuzuar SHBA-në para dhjetë vjetësh se hakerët e CIA-s po penetronin në sistemin kinez të sigurisë, por nuk ishte ofruar ndonjë dëshmi. Agjencitë amerikane të inteligjencës i kanë hedhur poshtë akuzat.
“Kinezët tani kanë qasje të pashembullt brenda punëve të sistemit të SHBA-së. Njëherësh SHBA-ja po fluturonte me një sy mbyllur, kur merrej me Kinën”, shkruan FP-ja, duke spikatur se rrjeti kinez po ngrihet me qëllim që të përkojë me ambiciet e Kinës në skenën botërore.