Mbetjet radioaktive nga testet bërthamore të kryera prej Francës në shkretëtirë të ish-kolonisë së saj, Algjerisë, vazhdojnë të ndotin marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve edhe mbi gjashtëdhjetë vjet pas tyre
Në mëngjesin e 13 shkurtit 1960, vetëm 45 minuta pasi ushtria franceze detonoi një bombë atomike si test në Saharanë algjeriane, presidenti Charles de Gaulle i dërgoi mesazh ministrit të tij të Ushtrisë.
“Urra për Francën” shkruante në tekstin e liderit, kujton televizioni britanik, BBC, që në krye të analizës ka vënë ndikimin e raporteve të atëhershme në marrëdhëniet e tanishme ndërmjet dy vendeve. “Këtë mëngjes, mendoj se ajo është më e fortë dhe më krenare. Nga thellësia e zemrës, ju falënderoj ju dhe ata që e arritën këtë sukses të mrekullueshëm”.
Trefish më e madhe se bomba e Nagasakit
Por, BBC-ja kujton se si bomba e mbushur me plutonium dhe gjashtëmbëdhjetë shpërthimet e pastajme të armëve atomike në Algjeri ishin parë si dëshmi e fuqisë dhe zhvillimit francez. Atëherë, Algjeria ishte koloni e Francës.
Megjithatë, atmosfera në terren, ku më shumë se 6.500 inxhinierë, ushtarë dhe hulumtues do të punonin përkrah më shumë se 3.500 punëtorëve algjerianë të krahut, nuk ishte kaq elektrizuese.
“Bomba ishte vendosur majë një kulle 100-metërshe para shpërthimit. Dëshmitarët kujtojnë se si ishte dridhur toka dhe, kur ishin lejuar ta shihnin shpërthimin, kishin parë një shtëllungë të madhe në formë kërpudhë tymi. Temperatura ekstreme afër rërës kristalizoi rërën, e transformoi në re të zeza”, shkruan BBC-ja.
Bomba ishte trefish më e fuqishme se ajo që ishte hedhur nga amerikanët në Nagasaki të Japonisë të 1945-n, që kishte rrafshuar gjithçka brenda perimetrit prej 1.6 kilometrash të shpërthimit. Shpërthimi i një arme kaq të fuqishme në Algjerinë jugperëndimore ishte justifikuar prej gjeneralit Charles Ailleret, i cili ishte në kryer të operacionit. Ai kishte thënë se “mungesa e të gjitha shenjave të jetës” ishte “thelbësore për zgjedhjen e zonës”.
Pasojat
Megjithatë, pasojat do të ndiheshin disa kilometra më larg, deri në qytetin e Regganes, kujtojnë banorët e kësaj ane.
Familja e Abderrahmane Tourmit ishte zhvendosur në oazë pas testeve më 1965. Por më vonë në jetë, ai ishte prekur aq shumë prej vuajtjeve të popullsisë vendore saqë më 2010 krijoi një shoqatë për të luftuar në emër të atyre që kishin vuajtur nga efektet e rrezatimit atomik, i ka treguar ai BBC-së.
“Më 1960 kur u detonua bomba, kishte më shumë se gjashtë mijë banorë. Reggane nuk ishte në mes të askundit”, ka theksuar 57-vjeçari. “Prej çfarë na është thënë nga hulumtuesit, efektet afatgjata prej shpërthimit të botës do të fillonin pas njëzetë vjetësh dhe do të vazhdonin për dekada me radhë”.
Torumi ka thënë që shumë prej atyre që ishin kontaminuar kanë vdekur, për shkak të shkaqeve të panjohura shëndetësore. Ka treguar se u ishte thënë se kishin sëmundje të rralla, “por ata nuk e dinin saktësisht se çfarë natyra specifike të sëmundjes kishin”, ka shpjeguar Torumi për BBC-në.
Protestat në mbarë rajonin

Vitin e shkuar, Franca ka kthyer mbetjet mortore të 24 algjerianëve, të cilët kishin luftuar kundër francezëve dhe që ishin mbajtur në një muze në Paris
Menjëherë pas shpërthimit të “Xherbës së kaltër”, kishte protesta në mbarë rajonin, për shkak se efektet e rrezatimit të shpërthimit do të ndiheshin deri në Senegal, Bregun e Fildishtë, Burkina Faso dhe Sudan.
BBC-ja kujton se si ishte mbajtur një protestë edhe në Lajpcig, që atëherë ishte pjesë e Gjermanisë Lindore, prej studentëve malianë që po e denonconin testin që ishte kryer vetëm disa qindra kilometra larg qyteteve të tyre të lindjes.
Pas nënshkrimit të Traktatit Gjithëpërfshirës së Ndalimit të Testeve Bërthamore, në një raport të senatit francez më 1998 theksohej se “shpërthimet atmosferike franceze ishin subjekt i kritikave në ngritje nga vendeve fqinje afrikane të Saharasë”.
Në raport thuhej se “ata nuk e kuptonin pse duhej të vazhdonim përdorimin e një teknike të qartë të ndotjes pavarësisht të gjitha masave paraprake për minizimin e mbetjeve radioaktive. Megjithatë në raport nuk specifikohej se cilat ishin ato vërejtje e kërkesa paraprake.
Dridhja e maleve
Pas katër testeve në sipërfaqen e tokës në rajonin e Regganes, më 1961, autoritetet franceze vendosën të kryenin teste nëntokësore në In Ekker, 700 kilometra larg vargmalit piktoresk Hoggar.
Gjatë shpërthimit të bombës të njohur si “Beryl”, radioaktiviteti ishte përhapur në atmosferë, sepse nuk ishin marrë masat e nevojshme për izolimin e efekteve vetëm nën tokë.
Dhe pasi shpërthimi dridhi vargmalet sipër, monitoruesit menjëherë u bënë thirrje zyrtarëve të largoheshin nga zona, për shkak se ishin krijuar çarje në mal dhe materiali bërthamor kishte nisur të rridhte në sipërfaqe.
Atëherë, ishin helmuar rëndë nëntë ushtarë prej eksperimentit atomik, sikurse edhe një numër zyrtarësh qeveritarë që ishin ftuar ta shihnin testin, kujton BBC-ja në shkrimin e gjatë.
Pas disa testeve të tjera bërthamore nëntokësore afër In Ekkerit, ushtria franceze i zhvendosi testet në Polinezinë Franceze në Oqeanin Paqësor.
“Efektet” e testeve në marrëdhëniet dypalëshe
Megjithatë, mbetjet radioaktive nga eksperimenti bërthamor francez në Sahara vazhdon të ndotë marrëdhëniet ndërmjet Algjerisë dhe Francës.
Hulumtuesit vendorë pretendojnë se mijëra algjerianë kanë vuajtur efektet e rrezatimit atomik në mbarë Saharanë Algjeriane, dhe shumë zona duhet të kontaminohen.
Çështja ka marrë rëndësi më të madhe në prag të vendimit të dy vendeve për të krijuar një komisioni me qëllim të propozimit të masave që do të zbusnin marrëdhëniet, që ende formësohen prej 132 vjetësh të kolonizimit.
“Në raportin për ato marrëdhënie, të autorizuar nga presidenti Emmanuel Macron, historiani Benjamin Stora ka adresuar çështjen bërthamore, duke theksuar se Franca dhe Algjeria duhet të punojnë bashkërisht për të pastruar zonat e testimeve”, shkruan transmetuesi britanik. “Por ai nuk ka folur shumë për kompensimin dhe propozimet e tij ishin shumë të vakëta për ata algjerianë që thonë se vazhdojnë të vuajnë nga efektet e testeve franceze”.
“Stora është si një rrobaqepës. Ka qepur tamam për qejf të nevojave të Francës”, qeshet Mohammed Mahmoudi, një burrë 49 vjeç që beson se i ishte ekspozuar rrezatimit në fillim të viteve nëntëdhjetë derisa kishte kryer shërbimin ushtarak në afërsi të Regganes.
Kompensim selektiv
Në një email dërguar BBC-së, Ministria e Jashtme franceze ka deklaruar se “diagnozat radiologjike të zonave të ndryshme testuese në këto vende janë kryer dhe u janë ndarë autoriteteve algjeriane”.
Parlamenti francez kishte aprovuar më 2010 Ligjin Morin, i cili duhet në teori, t’i kompensojë viktimat e rrezatimit bërthamor në Algjeri.
Megjithatë, ligji kërkon që përfituesit të kenë qenë banorë të rajonit gjatë kohës sa ishin kryer testet dhe i pranon vetëm disa sëmundje të caktuara.
Rrjedhimisht, viktimat si Mahmoudi nuk kualifikohen. Megjithatë, ai ngulmon se ka ndihmuar dokumentimin e më shumë se 800 rasteve.
Komisioni për Kompensimin e Viktimave të Testeve Bërthamore, që ishte krijuar prej Ligjit Morin, raporton se vetëm një prej 545 rasteve të cilëve ua janë ndarë paratë, ishte algjerian – të gjithë tjerët ishin të tjerë nga Polinezia Franceze.
Qeveria franceze është zotuar se do të vazhdojë të ekzaminojë të gjitha rastet e ofruara.
Në shkurt, shkruan BBC, gjenerali algjerian, Bouzid Boufrioua, ua tha troç kolegëve francezë në deponë ushtarake El Djeich.
“Franca duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e veta historike”, theksoi ai dhe iu referua një traktati të vitit 2017 për ndalimin e armëve atomike, të cilin nuk e kanë nënshkruar e as ratifikuar asnjë nga shtetet me armë atomike.
“Është hera e parë që bashkësia ndërkombëtare u ka kërkuar fuqive atomike që të ndreqin gabimet e së kaluarës”.
Për Tourmin dhe viktimat e tjera me të cilat flet përditë, korrektimi i gabimeve të së kaluarës nis me dekontaminimin e zonave të ndotura.
“Ka mbetje atomike nën tokë dhe ne nuk e dimë as ku ndodhet”, ka thënë ai për BBC-në, duke iu referuar faktit se Qeverisë algjeriane ende nuk u janë dorëzuar hartat e eksperimenteve franceze në Reggane dhe In Ekker. “Pacientët thjesht dëshirojnë në qytetet e tyre të lindjes pa mbetje bërthamore dhe pikë”.
Përgatiti: Rexhep Maloku