Botë

Macroni në rrezik nga nacionalistja Le Pen

Emmanuel Macron - Marine Le Pen

Sipas sondazheve, Macron dhe Le Pen do të përsërisin skenarin e vitit 2017, duke shkuar në raundin e dytë të zgjedhjeve që mbahet më 24 prill. Macroni fitoi bindshëm para pesë vjetësh, duke marrë 66 për qind, ndërkaq Le Pen 34 për qind të votave

Presidenti Emmanuel Macron ishte favorit absolut në garën presidenciale të Francës deri në ditët e fundit kur sondazhet kanë treguar për garë të ngushtë mes tij dhe lideres të së djathtës ekstreme, Marine Le Pen.

Një ditë para zgjedhjeve, është vlerësuar se Macron dhe Le Pen do të jenë në garë të ngushtë. Ekspertët kanë vlerësuar se sivjet do të ketë numër të ulët të votuesve, por kjo do të ndihmojë që të përcaktohet gara.

Le Pen po garon për herë të tretë në zgjedhjet presidenciale. Në të tria herët ka dalë e dyta pas Macronit. Mirëpo, distancën e ka shkurtuar në javën e fundit shkaku i pasivizimit të Macronit në fushatën presidenciale.

Sipas sondazheve, Macron dhe Le Pen do të përsërisin skenarin e vitit 2017, duke shkuar në raundin e dytë të zgjedhjeve që mbahet më 24 prill. Macroni fitoi bindshëm para pesë vjetësh, duke marrë 66 për qind, ndërkaq Le Pen 34 për qind të votave.

Të pakënaqur me Macronin

Ines Annane, 35-vjeçarja aktore dhe regjisore, e vetme është duke u kujdesur për të bijën 14 muajshe. Mezi ia del muajit me 350 euro pagë nga puna në teatër dhe 750 euro ndihma nga familja. Ka vendosur të votojë për kandidatin e së majtës ekstreme, Jean-Luc Melenchon. Shpreson për të ardhme më të mirë nën pushtetin e tij, por mbetet skeptike.

“Është e pamundur të ndërrojnë gjërat shpejt. Është e pamundur vetëm nëse vjen nga ndonjë përrallë”, ka thënë ajo. Mirëpo për një gjë është e sigurt: kurrë nuk do të votojë për Macronin. “Nuk mund t’i duroj sjelljet e tij dhe mënyrën se si flet me njerëzit”, ka thënë Anane.

Antoine Mallet ka votuar për Macronin në vitin 2017 dhe nuk e ka ndërmend të votojë për ndonjë kandidat tjetër.

Përpiluesit e sondazheve kanë thënë se matja e përqindjes së njerëzve që nuk do të votojnë është një detyrë e vështirë. Kompania e sondazheve “Odoxa” ka thënë se pjesëmarrja në votime mund të jetë më e ulëta në histori.

Ata kanë parashikuar se 27 për qind nuk do të dalin të votojnë. Më e ulëta ishte në vitin 2002, kur 28 për qind e votuesve nuk dolën në raundin e parë të zgjedhjeve, kur presidenti Jacque Chirac po përballej me Jean-Marie Le Pen. Lideri i atëhershëm i së djathtës ekstreme ishte mposhtur nga Chiracu në raundin e parë të zgjedhjeve.

“Përqindja mund të jetë më e ulët se ky rekord”, ka thënë Erwan Lestorhan, drejtor i studimeve në “Odoxa”.

Përveç kësaj, tre nga 10 persona që thonë se janë të sigurt se do të votojnë mund të ndryshojnë mendje ose të mbeten të pavendosur se cilin kandidat të zgjedhin, ka thënë Lestrohan.

Premtimet ekstreme

Kandidatët konservatorë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Francës mbajtën tubimet e tyre të fundit në Paris dhe Lyon të enjten, duke bërë fushatë për çështjet përfshirë emigracionin, sigurinë dhe ekonominë.

Eric Zemmour, ish-moderator televiziv, oferta e të cilit për presidencën bazohet tërësisht në çështjen e migracionit, qëndron në vendin e katërt në sondazhe, pas liderit të së majtës ekstreme Jean-Luc Melenchon.

Zemmour, 63 vjeç, i cili është dënuar vazhdimisht për gjuhën e urrejtjes, të enjten iu drejtua mbështetësve të tij të rinj në Paris.

Dikur mbështetës i madh i aleancës me Rusinë, ai një herë kishte uruar me zë të lartë që Franca të kishte Putinin e saj. Kjo ndodhi para pushtimit të Ukrainës nga Rusia, të cilën ai e dënoi.

Ai fillimisht ka thënë se do të preferonte që refugjatët ukrainas të qëndronin në Poloni, por më vonë mbështeti dhënien e vizave nëse ata kanë lidhje me Francën.

Zemmour ka shprehur dëshirën që Franca të tërhiqet nga komanda ushtarake e NATO-s. I ashpër me imigracionin – ai dëshiron që statusi i azilit të kufizohet në jo më shumë se 100 persona në vit – nga rreth 54 mijë gjatë vitit të kaluar.

Ka premtuar se do t’u japë fund ndihmave sociale për të huajt jo-evropianë dhe se do të hiqte ligjin për bashkim familjar. Përveç këtyre, Zemmour ka thënë se do të krijonte forcën ushtarake të rojave bregdetare për të ndaluar ardhjen e refugjatëve nga deti.

Ndërkaq u ka bërë thirrje të rinjve që të kërkojnë “respekt për identitetin e tyre”.

Rivalja e tij konservatore, që përfaqëson partinë republikane, Valérie Pécresse, mblodhi simpatizantët e saj në Lyon.

Në Ukrainë, Pécresse denoncoi pushtimin e Putinit dhe kundërshtoi Zemmourin, duke thënë se partia e saj nuk “ëndërronte një Putin francez, por demokraci të rigjallëruar”.

Ajo ka kërkuar ndalimin e shamive myslimane për vajzat e reja dhe në klubet sportive. Pécresse planifikon të vendosë kuota imigrimi. Përfitimet për strehim dhe familje do t’u jepen të huajve vetëm pesë vjet pasi të mbërrijnë legalisht në vend.

Asnjë leje qëndrimi nuk do t’u jepej atyre që hynë pa leje paraprake, është një tjetër premtim i saj zgjedhor.

Ajo ka premtuar se do t’i rrisë pagat e punëtorëve me të ardhura të ulëta dhe të mesme me 10% dhe t’i ulë taksat për bizneset dhe punëtorët. Ajo dëshiron të rrisë moshën e pensionit nga 62 në 65 deri në vitin 2030.

Është zotuar se do të zhvillojë energjinë bërthamore dhe energjinë e rinovueshme, por me kufizime në energjinë me erë.

Të dy kandidatëve u jepet 9-10% e synimeve të votimit nga anketuesit, qartë pas Macronit, i cili ka rreth 26%, kandidatja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, me rreth 24% dhe kandidati i ekstremit të majtë Jean-Luc Melenchon, i cili ka rreth 17%. Mazhat e gabimit janë 2-3% për çdo kandidat.