Në Velika Kladuša, një qytet në veriperëndim të ccnë kufirin kroat, ku ndodhet kampi i refugjatëve për burra beqarë, dhjetëra intervista të kryera nga Al Jazeera me refugjatë dhe emigrantë treguan se pothuajse të gjithë ose njohin dikë që u fundos, ose pothuajse u fundos, ose ka prej atyre që pothuajse u fundosën vetë. Frika nga uji është e përhapur, dhe ndërsa sezoni i verës afrohet, edhe më shumë planifikojnë të shkojnë "në lojë", ku ata do të duhet të përshkojnë rrugët e shumta të ujit, me shpresën se do të arrijnë në Evropën Perëndimore
Ora ishte rreth dy e mëngjesit, kujton Tahsan, kur burri u fundos. Një grup prej rreth 35 burrash nga Pakistani dhe Bangladeshi kishin kaluar kufirin nga Bosnja në Kroaci atë natë marsi. Ishte fillimi i një udhëtimi dyjavor nëpër pyjet e dendura dhe malet e mbuluara me dëborë nga kufiri i Bosnjës deri në Itali. Refugjatët dhe emigrantët i quajnë këto përpjekje për të kapërcyer kufijtë "lojë", por udhëtimi nuk kurrë nuk kryhet lehtë. Të gjitha rrobat që kishin, të gjithë ushqimin që do të hanin për 14 ditët e ardhshme dhe ujin që do të pinin, burrat e bartnin në shpinë, shkruan Al-Jazeera në një hulumtim të gjatë për sfidat e refugjatëve nga shtetet afrikane dhe aziatike, që mësyjnë nëpërmjet Ballkanit të arrijnë në vendet perëndimore të Evropës për të nisur një jetë të re.
“Lumi e mori për një minutë”
Vetëm nja 20 kilometra larg kufirit, burrat arritën në lumin Glina, të cilin Tahsan, 22 vjeç, e mban mend se ishte rreth 25 metra i gjerë. Megjithëse kishte qenë e ngrohtë gjatë ditës, në mars temperatura në zonë bie në -1 ose -2 celsius gjatë natës. Rreth 15 nga burrat u hodhën dhe u përpoqën të notonin në anën tjetër, "por një burrë po mërdhinte dhe nuk mundi të notonte", shpjegon Tahsan, nga Bangladeshi.
“Kur po flasim tre muaj pas incidentit, afër kampit të tij në çadrën në Bosnjën veriperëndimore (burrat nuk e arritën kurrë përmes Kroacisë), Tahsan është shumë i frikësuar për të zbuluar emrin e tij të vërtetë, sepse ka frikë nga hakmarrja jo vetëm nga autoritetet, por edhe nga burrat e tjerë të cilët mund të jenë të zemëruar që ai madje po flet për ta”, shkruan Al-Jazeera.
Ai thotë se nuk e njihte shumë mirë njeriun e fundosur, por e di që ai ishte në të njëjtën moshë me të dhe nga rajoni Punxhab i Pakistanit. Burri bërtiti për ndihmë, por askush në breg nuk ishte në gjendje t’i vinte në ndihmë. Nuk kishte kohë, thotë Tahsan, dhe, gjithsesi, "uji ishte shumë i ftohtë. Nëse njerëzit e tjerë do të përpiqeshin ta ndihmonin, ata do të kishin vdekur gjithashtu”, i rrëfen mediumit nga Katari.
U desh vetëm një minutë që burri të fundosej. Rryma ishte shumë e shpejtë atë natë, kujton Tahsan, dhe "trupin e tij e mori uji". Miqtë e burrit ende nuk e dinë se çfarë u bë me trupin e tij, ose nëse ai ishte nxjerrë.
Tahsan ishte duke udhëtuar me pesë bashkatdhetarë të tij dhe rreth 30 pakistanezë, shumë prej të cilëve thotë se "nuk dinin siç duhet të notonin".
Gjysma e burrave pakistanezë që nuk kishin kaluar ende lumin ishin aq të tmerruar nga vendi i ngjarjes saqë vendosën të rrezikonin dhe të ecnin mbi një urë gjysmë kilometri larg ku mund të ishte policia. Tahsan dhe bangladeshët e tjerë, të zotë në not nga rinia e kaluar në liqenet dhe rrugët e shumta të vendit të tyre, ishin për kalimin e lumit gjithsesi.
Çdo minutë ka rëndësi “në lojë”
Ata mezi prisnin të zbardhte dita ose të ngrohej uji. Çdo minutë llogaritet "në lojë" - çdo moment pa patrullime të policisë është një mundësi për të lëvizur më në perëndim drejt destinacionit të radhës. 15 pakistanezët dhe bangladeshasit e mbetur nuk u vonuan, thotë Tahsan, pasi burri u fundos - ata u hodhën menjëherë pasi trupi i tij u zhduk nga sytë, shkruan Al-Jazeera.
Ata që arritën të kalonin lumin, kaluan pjesën tjetër të natës në kushte të tmerrshme, vetëm me çadra për strehim. Temperatura qëndroi në nën zero deri pas agimit. "Ishte shumë ftohtë dhe duart tona nuk po funksiononin siç duhet. Ata ndryshuan në një ngjyrë të zezë. Unë nuk mund ta hapja vetë çantën për të marr rrobat e mia të thata, sepse gishtat më ishin ngrirë”, thotë Tahsan.
Në fund, përpjekjet e grupit dolën të kota. Oficerët kroatë të kufirit i kapën burrat të nesërmen, i çuan përsëri në kufi me dy furgonë të mëdhenj dhe i kthyen në Bosnjë në atë që njihet si një "kthim prapa".
Tahsan u largua nga Sylheti, qytet në Bangladeshin verior, dy vjet më parë për Evropën Perëndimore, duke udhëtuar përmes Turqisë dhe Greqisë dhe më pas drejt veriut përmes Ballkanit. Një djalë i ri me arsim fillor thotë se nuk parë asnjë të ardhme për veten në Bangladesh, të cilin ai e konsideron si "të korruptuar". Kryeministri aktual u zgjodh "padrejtësisht" dhe "ka krijuar shumë probleme për vendin".
Moti, sfidë e papërballueshme
Megjithëse nuk pendohet për vendimin e tij për t'u larguar, Tahsanit i mungon shtëpia, veçanërisht recetat e peshkut që gatuante nëna. Ai përpiqet të sjellë në mendje këto vakte duke folur me ton të matur. Sardele mban me vete kur shkon "në lojë". Por llojet e pakta të peshqve të lumit që Tahsan blen në tregjet lokale nuk përputhen me speciet e shumta të shijshme që gjenden në lumenjtë dhe liqenet e shumta të atdheut të tij.
Al-Jazeera kujton se që nga shkrimi i këtij artikulli, Tahsan ka arritur me sukses Italinë, ku planifikon të qëndrojë dhe të gjejë punë në një restorant ose në ndërtimtari. Ai shkoi "në lojë" rreth një duzinë herë nga Bosnja për nëntë muaj dhe dinte mirë si të përgatitej, duke paketuar një çantë shpine me vetëm një ndërrim të vetëm të rrobave, bukën, ujin, biskota, peshk të konservuar dhe shumë pije të preferuara energjike.
Ajo për të cilën Tahsan nuk mund të përgatitej kurrë, ishte moti në Ballkan, të cilin ai e përshkruan si "të paparashikueshëm" në pranverë - me diell një minutë dhe rrebesh shiu minutën tjetër. Atë natë të ftohtë marsi, asgjë nuk po iu shkonte përdore Tahsanit dhe emigrantëve të tjerë.
Sherri i luftërave në ish-Jugosllavi
Emigrantët dhe refugjatët që kalojnë nëpër Ballkan gjatë udhëtimeve të tyre në Evropën Perëndimore udhëtojnë nëpër terrene të ashpra. Shumë humbin jetën e tyre shkaku i lëndimeve aksidentale, ekspozimit ose duke shkelur në minat e mbetura nga luftërat jugosllave të viteve 1990.
Por mbase pikat më të rrezikshme të këtyre udhëtimeve janë lumenjtë e shumtë që përshkojnë fshatrat, të cilët emigrantët duhet t’i kalojnë për të arritur destinacionet e tyre në Evropë.
Ndërsa gjendja e refugjatëve që po fundosen në Mesdheun Qendror dhe Egjeun Lindor është dokumentuar mirë, pak vëmendje u kushtohet këtyre vdekjeve në lumenjtë e Ballkanit. Anijet joqeveritare të kërkim-shpëtimit patrullojnë ujërat në brigjet e Libisë në Mesdhe dhe disa linja urgjencash operojnë vazhdimisht për të marrë thirrje në të dyja detet kryesore.
Në Ballkan, megjithatë, nuk funksionon asnjë përpjekje e tillë e koordinuar dhe e qëndrueshme e shpëtimit dhe nuk ka asnjë bazë të dhënash të centralizuar, të disponueshme për publikun, që regjistron fundosjet e emigrantëve në rajon, ose vdekjet aksidentale në përgjithësi. Arsyeja, thotë Simon Campbell i Rrjetit të Monitorimit të Dhunës Kufitare (BVMN), një organizatë vëzhguese, është sepse "fundosjet janë një nga gjërat më të komplikuara për t'u gjetur".
“Urat e pakalueshme”
Një organizatë e ndihmës si Këshilli Danez për Refugjatët (DRC) i tha Al Jazeeras me email se kishte regjistruar 19 raste të fundosjes së refugjatëve ose emigrantëve në territorin e Bosnjës që nga gushti i vitit 2019. Por kjo është vetëm njëra anë e historisë. Vullnetarët dhe aktivistët në terren thonë se sigurisht se numri është shumë më i lartë, megjithëse është e pamundur të përcaktohet shifra e saktë.
"Në Ballkan, emigrantët në transit fundosen në lumenj përgjatë kufijve kombëtarë dhe në brendësi", thotë Campbell. "Emigrantët nuk mund të përdorin urat, sepse ato janë në zona me dendësi të lartë dhe njerëzit po përpiqen t'iu shmangen kontrolleve të policisë”.
Në Velika Kladuša, një qytet në veriperëndim të Bosnjës në kufirin kroat, ku ndodhet kampi i refugjatëve për burra beqarë, dhjetëra intervista të kryera nga Al Jazeera me refugjatë dhe emigrantë treguan se pothuajse të gjithë ose njohin dikë që u fundos, ose pothuajse u fundos, ose ka prej atyre që pothuajse u fundosën vetë. Frika nga uji është e përhapur, dhe ndërsa sezoni i verës afrohet, edhe më shumë planifikojnë të shkojnë "në lojë", ku ata do të duhet të përshkojnë rrugët e shumta të ujit.
(Vazhdon)
Përgatiti: Rexhep Maloku