Borxhi i Amerikës, i konsideruar prej kohësh si një aset jashtëzakonisht i sigurt, është një themel i tregtisë globale, i ndërtuar mbi dekada të besimit në Shtetet e Bashkuara. Një dështim mund të shkatërrojë tregun prej 24 trilionë dollarësh për borxhin e Thesarit, të shkaktojë ngrirjen e tregjeve financiare dhe të ndezë një krizë ndërkombëtare
Nëse kriza e borxhit që po trondit Washingtonin do t'i bënte Shtetet e Bashkuara të zhyteshin në recesion, ekonomia e Amerikës vështirë se do të fundosej e vetme.
Pasojat e mospagimit të parë të borxhit federal do të jehonin shpejt në mbarë botën. Porositë për fabrikat kineze që shesin pajisje elektronike në Shtetet e Bashkuara mund të mbarojnë. Investitorët zviceranë që zotërojnë Thesaret e SHBA-së do të pësonin humbje. Kompanitë nga Sri-Lanka nuk mund të përdorin më dollarin si alternativë ndaj monedhës së tyre të dyshimtë.
"Asnjë cep i ekonomisë globale nuk do të kursehet" nëse qeveria amerikane dështon dhe kriza nuk zgjidhet shpejt”, tha Mark Zandi, kryeekonomist në “Moody's Analytics”.
Zandi dhe dy kolegë në “Moody's” kanë arritur në përfundimin se edhe nëse kufiri i borxhit do të shkelej për jo më shumë se një javë, ekonomia e SHBA-së do të dobësohej aq shumë, aq shpejt, sa të zhdukte afërsisht 1.5 milionë vende pune.
Dhe nëse një falimentim i qeverisë do të zgjaste shumë më gjatë - deri në verë - pasojat do të ishin shumë më të tmerrshme, zbuluan Zandi dhe kolegët e tij në analizën e tyre: rritja ekonomike e SHBA-së do të fundosej, 7.8 milionë vende pune amerikane do të zhdukeshin, normat e huamarrjes do të rriteshin, shkalla e papunësisë do të rritet nga 3.4% aktuale në 8% dhe një rënie e tregut të aksioneve do të fshinte 10 trilionë dollarë në pasurinë e vendit.
Ushqyerja e ankthit është fakti se kaq shumë aktivitet financiar varet nga besimi se Amerika do të paguajë gjithmonë detyrimet e saj financiare. Borxhi i saj, i konsideruar prej kohësh si një aset jashtëzakonisht i sigurt, është një themel i tregtisë globale, i ndërtuar mbi dekada të besimit në Shtetet e Bashkuara. Një dështim mund të shkatërrojë tregun prej 24 trilionë dollarësh për borxhin e Thesarit, të shkaktojë ngrirjen e tregjeve financiare dhe të ndezë një krizë ndërkombëtare.
“Një falimentim i borxhit do të ishte një ngjarje kataklizmike, me një pasojë të paparashikueshme, por ndoshta dramatike në tregjet financiare të SHBA-së dhe globale”, tha Eswar Prasad, profesor i politikës tregtare në Universitetin Cornell dhe bashkëpunëtor i lartë në Institutin Brookings.
Kërcënimi është shfaqur pikërisht në kohën kur ekonomia botërore po përballet me një mori kërcënimesh – nga rritja e inflacionit dhe normave të interesit te pasojat e vazhdueshme të pushtimit rus të Ukrainës deri te shtrëngimi i kontrolleve të regjimeve autoritare. Mbi të gjitha këto, shumë vende janë bërë skeptike për rolin e madh të Amerikës në financat globale.
Në të kaluarën, udhëheqësit politikë amerikanë në përgjithësi arritën të largoheshin nga pragu dhe të rrisnin tavanin e borxhit para se të ishte tepër vonë. Kongresi e ka ngritur, rishikuar ose zgjatur kufirin e huamarrjes 78 herë që nga viti 1960, më së fundi në vitin 2021.
Megjithatë problemi është përkeqësuar. Ndarjet partizane në Kongres janë zgjeruar, ndërkohë që borxhi është rritur pas viteve të rritjes së shpenzimeve dhe zvogëlimeve të thella të taksave. Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen, ka paralajmëruar se qeveria mund të falimentojë që më 1 qershor nëse ligjvënësit nuk e rrisin ose pezullojnë tavanin.
Përktheu: Forca Jashari