Kriza e koronavirusit e ka futur sektorin e turizmit Evropian në kaos total, me kufijtë e mbyllura dhe linjat ajrore të bllokuara.
E gjithë kjo situatë po rrezikon falimentimin e bizneseve dhe ekonomive që varen prej tyre.
Nga Algarve në Portugali në ishujt Grekë, dhe nga vendpushimet elegante të bregdetit Amalfi të Italisë, deri në klubet spanjolle, askush nuk e di nëse pushuesit e Evropës do të vijnë këtë vit, apo si do të mbijetojnë nëse jo, transmeton Bota.al shkrimin e Timesit.
Humbjet tashmë janë drastike. Komisioni Evropian vlerëson se hotelet dhe restorantet e BE-së do të humbasin gjysmën e të ardhurave të tyre këtë vit. Sipas grupit bankar UBS, të ardhurat nga turizmi në mars ranë me 95% në Itali dhe 77% në Spanjë.
Në të gjithë Evropën Jugore, rikuperimi nga kriza e vitit 2008 mbështetej në një masë të konsiderueshme tek turizmi, pasi sektori është jetik për ekonomitë kombëtare. Sipas Bankës Botërore turizmi përbën 20% të PBB-së në Greqi, 18% në Portugali, 15% në Spanjë dhe 13% në Itali.
Komisioneri i tregut të brendshëm të BE-së, Thierry Breton, ka bërë thirrje për një “plan Marshall” duke përdorur fonde nga paketat e mëdha stimuluese ekonomike të Evropës për të shpëtuar nga kolapsi hotelet, restorantet dhe operatorët turistikë. Pronarët e bizneseve duken gjithnjë e më të dëshpëruar dhe kërkojnë të veprohet sa më shpejtë, por shumë qeveri nuk duken pozitive.
Kufijtë e brendshëm të bllokut Evropian mbeten të mbyllura për udhëtime, pa asnjë perspektivë të një rihapjeje të paktën deri në fund të majit.
Gjermania këtë javë doli kundër udhëtimeve nga vendet e huaja deri në mes të qershorit.
Të gjithë ata që vijnë në Francë, përfshirë edhe nga shtetet e BE-së, duhet të deklarojnë një arsye thelbësore profesionale ose familjare për udhëtimin e tyre ose ata do të kthehen mbrapa.
Edhe udhëtimi brenda vendit është akoma i kufizuar në disa shtete. Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ka thënë se italianët duhet të shkojnë me pushime në Itali, por ata nuk do të lejohen të udhëtojnë midis rajoneve kur kufizimet të fillojnë të lehtësohen me 4 maj.
Qytetarët francezë gjithashtu do të kufizohen në një rreze prej 100 km nga shtëpia e tyre nga 11 maji e në vazhdim.
Përhapja e koronavirusit në Spanjë është konsideruar një nga më të këqijat në botë, ku më shumë se 24.500 njerëz kanë vdekur, por disa nga pikat turistike të vendit janë shfaqur relativisht të pasigurta, duke i ngjallur një fije shprese se ata mund të presin akoma një sezon veror. Spanja ishte vendi i dytë më i vizituar në botë në vitin 2019, me afro 84 milion turistë. Kjo sillte një mbështetje të madhe për ekonomike.
Greqia dhe Qipro, po kërkojnë që BE-ja të bie dakord për një rrugë të përbashkët përpara. Për të dy vendet, pyetja është ekzistenciale. Më shumë se një e pesta e forcës punëtore janë të punësuar në këtë sektor, pothuajse dyfishi i mesatares së BE-së, dhe turizmi është kontribuesi më i madh në ekonomitë e tyre. Greqia thotë se po parashikon fillimin e sezonit turistik në korrik, “Të gjitha bastet janë në dy muajt e ardhshëm,” tha Grigoris Tasios, presidenti i Federatës Panelenike të Hotelierëve.
Ministri i turizmit të Italisë, Dario Franceschini, tha se vendi po punonte shumë për të arritur një ekuilibër midis shqetësimeve të sigurisë dhe rihapjes së turizmit. “Nuk do të jetë e lehtë, por ne do t’ia dalim,” tha ai.
Biznesi nuk pritet të kthehet në nivelet para-koronavirus deri në vitin 2023.