Prindërit e Haddadit u larguan nga al-Bassa pasi fshati u shkatërrua nga forcat paraushtarake hebraike. Gjatë konflikteve të viteve 1947-1948, të paktën 750 mijë palestinezë u larguan ose u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në atë që palestinezët e quajnë “Nakba” ose “katastrofë”. Haddad lindi dhe u rrit në një kamp refugjatësh palestinezë në Libanin fqinj
Prindërit e Eid Haddadit ishin adoleshentë kur panë praninë e plotë të Britanisë në Palestinë në vitin 1938.
“Ata panë trupat që vinin dhe sulmonin njerëzit. Babai im më tha se një nga burrat u godit në kokë me një çekiç druri që përdoret për ta grirë mishin dhe vdiq”, ka treguar Haddad. “Një burrë tjetër dhe djali i tij po linin duhanin për t’u tharë. Ata u qëlluan pas shpine. Ka qenë kaos”, ka thënë ai.
Prindërit e tij jetonin në al-Bassa, fshat palestinez i nënshtruar nga forcat britanike, të cilat veprimet e tyre në atë kohë i quajtën “masa ndëshkuese”. Me këto masa përballeshin fshatra të tëra nëse trupat bëheshin cak i sulmit të rebelëve të armatosur që fshiheshin në kodra.
Haddad tregoi rrëfimin mbi mizoritë për serinë e re të BBC Radio 4, The Mandates, e cila trajton temën e kontrollit britanik dhe francez mbi Lindjen e Mesme një shekull më parë, kontroll që ia dha formën rajonit mbi të cilat funksionon ende edhe sot.
Në seri dëgjojmë një grup historianësh; ekspertë të ngjarjeve të një shekulli më parë në territorin që mbulon Izraelin e sotëm dhe territoret e pushtuara palestineze, Jordaninë, Libanin dhe Sirinë. Ne folëm me gra dhe burra të prekur drejtpërdrejt nga konvulsionet që mbërthyen Evropën dhe Lindjen e Mesme, si dhe me pasardhësit e tyre sot.

“Histori e së tashmes”
Për herë të parë kontaktova me Haddadin vitin e kaluar kur po hulumtoja për një përpjekje të udhëhequr nga palestinezët për të kërkuar falje për krimet e supozuara të luftës të kryera nga Mbretëria e Bashkuar gjatë kontrollit të Palestinës nga viti 1917 deri në 1948.
Teksa fola me të këtë herë, gjatë telefonatave nga shtëpia e tij në Danimarkë, ai tregoi historinë e fëmijërisë së tij në Liban mes gjakderdhjes së mëtejshme që pësoi familja e tij - deri atëherë të shpërngulur nga atdheu i tyre.
Fëmijëria e tij përfshinte paqëndrueshmërinë e përgjakshme që mbërtheu Lindjen e Mesme në dekada pasi fuqitë evropiane braktisën ndërhyrjet e tyre.
Një historian që intervistuam na tha se historia e mandateve është aq thelbësore sa është në mënyrë efektive “një histori e së tashmes”.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, teksa Britania pushtoi territorin nga Perandoria Osmane e shkatërruar, ajo tërhoqi forcat në rritje të vetëvendosjes kombëtare. Ajo u bëri premtime konkurruese mbi një pjesë të territorit arabëve, të cilët kërkuan pavarësi në të gjithë rajonin dhe lëvizjes sioniste që kërkonte një shtëpi hebraike në Palestinë.
Britanikët dhe francezët konsoliduan kontrollin e tyre me të ashtuquajturat “mandate” për të qeverisur rajonet që u ishin dorëzuar atyre nga Lidhja e Kombeve të sapothemeluara - një organ i cili dominohej nga dy fuqitë perandorake.

Në Palestinë politikat e Britanisë përfundimisht i vendosën lëvizjet kombëtare rivale në një kurs përplasjeje përpara se të fillonte një goditje brutale ndaj një kryengritjeje arabe në fund të viteve 1930. Forcat britanike më vonë do të përballeshin me rebelimin nga milicitë sioniste, mes një sërë ndryshimesh kaotike të politikave që e panë Mbretërinë e Bashkuar të refuzonte premtimet e imigracionit dhe të kthente mbrapsht varkat e refugjatëve të të mbijetuarve të Holokaustit, të cilët më parë kishin ikur nga Evropa e pushtuar nga nazistët.
“Anglezët nuk dinin t’i menaxhonin këto gjëra”, më tha historiani izraelit, Tom Segev. “Ata e trajtuan Palestinën si dikush që do të trajtonte një kafshë shtëpiake të dashur. Është bukur ta kesh, por nuk duhet të shkaktojë shumë telashe”, ka shtuar ai.
Ndërkohë Mandati Francez e largoi Libanin nga Siria për të krijuar një plazh strategjik dhe vendosi kufij të rinj mbi të gjithë territorin në fillim të viteve 1920, përpara një rebelimi arab të cilin ata gjithashtu e shtypën pamëshirshëm. Ata ndanë zonat sipas përkatësisë etnike dhe religjionit në atë që historiani James Barr na tha se ishte një përpjekje “shumë e drejtpërdrejtë dhe cinike” për të ndarë dhe për të sunduar.

Largimi i palestinezëve
Prindërit e Haddadit u larguan nga al-Bassa pasi fshati u shkatërrua nga forcat paraushtarake hebraike. Gjatë konflikteve të viteve 1947-1948, të paktën 750 mijë palestinezë u larguan ose u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në atë që palestinezët e quajnë “Nakba” ose “katastrofë”. Haddad lindi dhe u rrit në një kamp refugjatësh palestinezë në Libanin fqinj.
Klima e brishtë sektare midis të krishterëve dhe myslimanëve të mbetur pas sundimit francez të Libanit u destabilizua me shtimin e refugjatëve palestinezë. Ajo u përkeqësua më tej gjatë ngritjes së Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), grupi i armatosur që nisi sulmet ndaj Izraelit. Vendi kishte gjithashtu zyrtarë të fuqishëm që ende favorizonin aleancën rajonale panarabe me Sirinë dhe Egjiptin.
Libani më vonë u fut në luftë civile sektare. Haddad, familja e të cilit janë të krishterë palestinezë, përshkruan se si vëllai i tij 16-vjeçar u qëllua për vdekje nga ultranacionalistët e krishterë libanezë - milicitë falangiste - të cilët shënjestruan palestinezët dhe sulmuan kampin e tij të refugjatëve në veri të Bejrutit në vitin 1975.
Një vit më pas ai i mbijetoi një vrasjeje masive nga të armatosurit, duke u fshehur në një gardërobë. Ai përshkruan poshtërimin e tmerrshëm dhe barbar të të mbijetuarve nga milicitë.
Haddad më thotë se ai përballet me simptomat e përjetshme të çrregullimit të stresit posttraumatik (PTSD), të cilat u paraqitëm si pasojë e asaj që përjetoi si fëmijë.
“Prindërit e mi - mendoj se gjithashtu kanë vuajtur nga PTSD sepse kanë parë gjithashtu shumë gjëra si fëmijë. Dhe imagjinoni babanë tim, ai ishte gati të merrej nga trupat britanike për t’u marrë në pyetje”, thotë ai, duke shpjeguar se forcat britanike ndanë gratë nga burrat kur u arrestuan gjatë mizorisë në al-Bassa në vitin 1938.
Babai i tij, atëherë djalë adoleshent, ishte në rendin e grave, tregon Haddad, pasi një fshatar e kishte maskuar atë që të dukej si vajzë.
“Ia mbuluan kokën më shall dhe ia dhanë një fustan ta vishnin. Në këtë mënyrë i shpëtoi torturës”, ka rrëfyer ai.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk e ka pranuar kurrë mizorinë në al-Bassa, në të cilën besohet se janë vrarë më shumë se 30 njerëz.
Nga Evropa, Haddad përshkruan se si kurrë nuk ka mundur të kthehej në vendlindje.
“Më mungon një pjesë e madhe nga vetja ime. Ndihem sikur jam një ishull në një oqean të panjohur për mua”, është shprehur ai.
Përktheu: Blerta Haxhiu