Vendimi i Bashkimit Evropian për të shtyrë bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore nuk ka mundur të vijë në moment më të keq.
Tani që përkushtimi i Brukselit ndaj rajonit është në dyshim, Iniciativa kineze “Belt and Road” ofron një alternativë tërheqëse për vendet që humbin shpresën në pritjen e pafundme për t’u anëtarësuar në BE.
Kina dikur ka qenë sinonim i rrobave të lira dhe plastikës shumëngjyrëshe. Sot në Mal të Zi, më shumë njihet për vinça të lartë dhe për shtylla gjigante betoni, teksa një urë me lartësi prej 200 metrash, e gjatë 1 kilometër, po merr formën mbi lumin Moraça.
Projekti – pjesë e një plani ambicioz për të ndërtuar një autostradë nga bregdeti i Adriatikut deri në kufirin me Serbinë – udhëhiqet nga Korporata Kineze për Rrugë dhe Ura (CRBC), me një hua nga Exim Banka e Kinës. Kështu duket Iniciativa “Belt and Road” në terren: Muskujt e inxhinierisë kineze të shoqëruar me kredi të lira kineze.
Në Mal të Zi dhe në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, Kina ka ardhur me pak bagazh historik – vetëm me valixhe plot para. Kjo është krejtësisht e kundërta e asaj që bën “Perëndimi”, i cili ka një traditë të gjatë shekullore për ndërhyrje në politikën lokale, dhe së fundmi – përmes BE-së – për premtime të mëdha e për realizime të vogla, transmeton Koha.net.
Projekti i kushtueshëm i ndërtimit në Mal të Zi nuk është popullor tek të gjithë, por kritikët fajësojnë Qeverinë më shumë sesa kinezët.
Teksa po pija një kafe të fortë në një restorant në Podgoricë, e pyes një inxhinier që po punon në projekt nëse është i brengosur për ndikimin kinez. Ai qesh dhe thotë, “BE-ja tashmë u tregon politikanëve tanë për kë të votojnë dhe çfarë të thonë – me Kinën do të jetë njëjtë, vetëm se për çështje tjera”.
Malazezët janë në përgjithësi pro-BE, por janë lodhur. Ata mund të jenë më të frustruar me politikanët e tyre sesa me Brukselin, por më thellë, ata janë të zemëruar se asgjë s’ka ndryshuar, dhe premtimet nuk po realizohen.
Kjo ndjenjë është e përhapur në masë të madhe në Ballkanin Perëndimor. Kurdo që flas me njerëz për Kinën, tema e integrimit në BE shfaqet herët apo vonë.
Në Maqedoninë Veriore, një akademik lokal më thotë t’i ketë parë “të njëjtat koka” teksa flasin nga Brukseli në Televizion e që thonë të njëjtën gjë në pesë vjetët e fundit.
Në Bosnjë e Hercegovinë, ulem në një zyrë të një ministri lokal dhe dëgjoj një përçarje që nuk ngjan shumë në një teatër politik por më shumë si një hapje e vërtetë: “Njerëzit janë lodhur nga shpresa dhe nga shpresa pa rezultate, pa investime, pa punësim. E ardhmja është e paparashikueshme, por BE-ja nuk është më aq tërheqëse siç ka qenë”.
Edhe në Shqipëri, e cila është në masë të madhe pro-BE, një ish-politikan sharmant dhe me gjuhë të butë, më thotë, “Të them të vërtetën, ka frustrim – gjithmonë ka para por nuk është e lehtë t’i qasesh – nuk ka zgjidhje të lehta”.
Nuk ka rëndësi se i kujt është faji. Rëndësi ka që njerëzit po ndihen të neglizhuar, të zhgënjyer. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, pati dhunë të tmerrshme dhe shkatërrim ekonomik, por pastaj pati shpresë. Tani ka vetëm ngecje.
Meqë BE-ja mungon në rajon, Pekini aktualisht po vepron në njëfarë vakuumi, dhe ofron një paradigmë joshëse: financime pa kushte që veprojnë në parimin e respektimit të dyanshëm. Për dallim nga Brukseli, Pekini nuk kërkon kushte politike apo llogari të kujdesshme. Në shtëpi dhe jashtë, Pekini prioritet ka zhvillimin në raport me detajet siç janë reformat apo të drejtat e njeriut. Në Ballkan, ai po ofron të ndërtojë projekte nacionale që BE-ja s’do t’i prekë: termocentrale me qymyr në Bosnje e Serbi, autostradë në Mal të Zi.
Në një konferencë për Iniciativën “Belt and Road” të organizuar nga Universiteti i Beogradit dhe i financuar nga Ambasada Kineze në Beograd, një nga akademikët pjesë e organizimit më thotë se “mes Rusisë dhe Evropës, shoh Kinën si opsion të tretë”.
Në Bosnjë e Hercegovinë, eci nëpër bregun e lumit Miljacka me një përkthyese të re e cila më tregon turistët kinezë përreth Sarajevës. Po flisnim për Kinën, kur papritmas, pas një heshtjeje të shkurtër, ajo thotë, “E dini, për një kohë të gjatë ka qenë Rusia vs. Perëndimi. Perëndimi është ende Perëndim dhe Ballkani është ende Ballkan, por Kina është një fytyrë e re”.
Kina s’mund të ofrojë një alternativë për integrim në BE. Madje nuk është as afër për të garuar me tregtinë dhe investimet ndër-evropiane. Por prezenca e Pekinit në rajon është e re. Kina është e pasur. Është optimiste për të ardhmen. Ofron shpresë. Rrënjoset në boshllëqet që Brukseli i ka lënë mes pritjeve dhe realitetit.
Në Maqedoninë Veriore, qeveria ka ndryshuar emrin e tërë vendit për të për të qetësuar Greqinë dhe për të lehtësuar rrugën për pranim eventual. Nga largësia, ky mund të duket si një koncesion i vogël, por zgjidhja e një mosmarrëveshjeje dekadëshe mes Greqisë dhe Maqedonisë është një çështje jashtëzakonisht emocionale.
Në një udhëtim të fundit në vend për të hetuar dy autostrada që po ndërtohen nga kompania kineze Sinohydro, dëgjoj njerëz të panumërt që ankohen në Qeverinë që ua hoqi emrin e vendit të tyre. qeveria ka ndërmarrë një veprim që lëndon skajshmërisht veten për hatër të integrimit evropian, dhe tani po i thuhet të presë sepse Bundestagu ka agjendë të ngarkuar verore.
Nëse është siç thotë Komisioneri Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, se BE-ja është e shqetësuar për ndikimin kinez në fqinjësinë evropiane, do të duhej të përshpejtonte përkushtimin e saj në rajon. Fatkeqësisht, duket se po e bën krejtësisht të kundërtën.
Jacob Mardell është hulumtues në Institutin Mercator për Studime Kineze (MERICS).
Shkrimi i publikuar në portalin me ndikim evropian, “Politico”, është përkthyer nga redaksia e Koha.net.