Diku atje, djali i Rebekës është 10 vjeç. Ai mund të jetë në Najrobi, ku ajo jeton apo mund të jetë diku tjetër. Mund edhe të ketë vdekur. Hera e fundit që e kishte parë atë, Lawrence Josiah, djalin e parë, ai ka qenë 1 vjeç. Në moshën 15-vjeçare Rebecca braktisi shtëpinë e saj pasi nëna e saj nuk mund ta mbështeste apo t’ia paguante shkollën. Ajo takoi një burrë më të vjetër që i kishte premtuar martesë, por që e la shtatzënë dhe e braktisi. Pas një viti kishte lindur Lawrence Josiah dhe Rebecca e rriti për një vit, për të mos e parë më kurrë.
Rebecca jeton ende në vendin e njëjtë në Najrobi. Ajo tani ka edhe tri vajza – në moshën tetë, gjashtë dhe katërvjeçare. Histori të tilla ka sa të duash në lagjet e Najrobit.
Gratë e varfra po bien pre e trafikimit të foshnjave të tyre. Gjatë një viti hulumtim “Africa Eye” ka gjetur dëshmi të fëmijëve që janë grabitur nga nënat e pastreha dhe janë shitur. Ne e kemi zbuluar trafikimin ilegal të fëmijëve në klinika dhe këtë e kemi arritur duke përcjellë një fëmijë të braktisur nga një zyrtar i spitalit, që i ka përdorur dokumentet legale për ta marrë kujdestarinë e foshnjës dyvjeçare para se të na i shiste neve drejtpërdrejt.
Grabitësit e foshnjave shkojnë nga oportunistët deri te kriminelët e organizuar. Dhe në mesin e oportunistëve është edhe Anita, një alkoolike dhe përdoruese e drogës që grabit fëmijë nga gratë si Rebecca. Ajo ka mënyra të ndryshme për ta arritur këtë. Ndonjëherë duke biseduar me nënat e ndonjëherë duke i droguar ato e edhe duke luajtur me fëmijë.
“Africa Eye”, duke u shfaqur si blerës potencial, u takua me Anitën në një kafene në Najrobi, e cila frekuentohet nga blerësit e rrugës. Ajo tregoi për presionin nga shefja e saj, për fëmijët e zhdukur dhe për çmimet që variojnë nga 350 dollarë për vajzë dhe 550 dollarë për djem. Marrëveshja ishte bërë që të takohemi për ta blerë foshnjën dhe “Africa Eye” lajmëroi policinë që u mobilizuan që ta arrestonin, por Anita nuk erdhi. Fëmija nuk ishte. Sot e kësaj dite dosja e saj është ende e hapur në polici.
Trafikimi në Keni

Në Keni nuk ka kurrfarë statistikash të sakta rreth trafikimit të fëmijëve. Një nga organizatat e pakta është “Missing Child Kenya”, udhëhequr nga Maryana Munyendo. “Ky është problem i madh në Keni, por nuk raportohet. Arsyeja është statusi i dobët ekonomik i viktimës”, thotë Munyendo. Stigma kulturore dhe infertiliteti janë forca udhëheqëse prapa tregut të zi. Munyendo thotë se është e domosdoshme që gruaja të ketë fëmijë dhe atë djalë. Nëse nuk e ka, detyrohet ta vjedhë.
Sipas studimeve të “Africa Eye”, rrjetet e trafikimit të fëmijëve po operojnë brenda spitaleve shtetërore të Najrobit. Tentuam ta kontaktonim Fred Leparan, punëtor social klinik në spitalin Mama Lucy Kibaki, që është përgjegjës për mbrojtje të fëmijëve të lindur aty. Por burimet tona na thanë se ai ishte i përfshirë drejtpërdrejt në trafikim.
Fëmijët e braktisur duhet të dërgohen në jetimore derisa të adoptohen nga prindër që kanë kushte të mira jetese. Kur ata shiten ilegalisht nga njerëzit si Fred Leparan, askush s’e di çfarë ndodh me ta.
Zgjedhja e Adamës
Prapa grabitëseve nëpër rrugë si Anita dhe zyrtarëve të korruptuar si Leparan, ekziston një shtresë tjetër e biznesit të trafikimit të fëmijëve në Najrobi. Nëpër qytet mund të gjeni klinika ilegale për lindje të fëmijëve dhe këto janë vende për treg të zi të foshnjave.
Sipas gazetares “Judith Kanaitha”, tregtia me foshnja është duke shpërthyer në Kayole. Ajo u paraqit si blerëse në klinikën që është në pronësinë e Mary Auma, që thotë se ka punuar si infermiere në spitalet më të mëdha në Najrobi. Në klinikë dy gra ishin në sallën e lindjes. Auma i pëshpëriti njërës duke ia ofruar fëmijën ende të palindur për 315 dollarë.
Auma po negocionte me nënën e fëmijës, Adamën. Ashtu si Rebecca ishte braktisur nga babai i fëmijës. Kështu që Adama vendos ta shesë atë. Por çmimi i ofruar nga Auma ishte 70 dollarë. “Vendi ishte i papastër, e përdorte një kontejner të vogël për gjak, shtrati nuk ishte i pastër, por nuk kisha zgjidhje tjetër”, kishte thënë më vonë Adama në një intervistë. Pas dy javësh nga lindja, foshnja do të shitej. Por Adama nuk ishte e sigurt. “Nuk doja t’ia shisja foshnjën time dikujt që nuk mund të kujdesej për të apo dikush që i blen e i përdor për qëllime të tjera”, tha ajo më vonë. Kështu që Adama e braktisi klinikën me foshnjën e saj në duar. Ajo e dërgoi në spitalin shtetëror të fëmijëve, ku shpresoi se do ta adoptonin dhe do të kishte jetë më të mirë.
Ajo kurrë s’i mori paratë që i duheshin. Tani jeton vetëm, larg nga Najrobi dhe shpeshherë zgjohet natën e mendon për të, por nuk pendohet për zgjedhjen që ka bërë. “Ndihem e qetë pasi ia kam dorëzuar foshnjën time Qeverisë, sepse e di se është e sigurt”, ka thënë ajo.
Shitja në spital

Fred Leparan, punëtori social klinik, na informoi se kishte gjetur një djalë që donte ta grabiste për ne. Tre fëmijë do të transferoheshin në jetimore. Rose, reporterja e fshehur, po priste në veturë. Leparan iu tha infermierëve se ajo punonte për jetimoren. Ai dukej i stresuar, por tha se nuk do ta ndiqnin.
Më pas, ekipi u nis për në jetimore me tre fëmijët në veturë, ku njëri prej tyre do të mund të shkonte kudo e te kushdo. Ekipi i dërgoi të sigurt në shtëpinë ku do të kujdeseshin për ta deri në adoptim
BBC-ja kërkoi Fred Leparan për të folur, por ai refuzoi të flasë.
I informuam edhe organizatat për të drejtat e fëmijëve rreth rastit të Aumas, të cilat e informuan policinë. Megjithatë, ajo ende e vazhdon punën e saj.
Për nënat që ua kanë vjedhur fëmijët, duket se nuk do të ketë kurrë ndonjë zgjidhje. Rebecca do të jepte gjithçka vetëm për ta parë fëmijën e saj.
“Ekziston një mundësi në një milion se këto nëna do t’i shohin prapë fëmijët e tyre”, ka thënë Maryana Munyendo, nga “Missing Child Kenya”. Sipas saj, duhet të ketë drejtësi për këto nëna, pasi edhe ato kanë ndjenja, pasi malli për fëmijën është i njëjtë pa marrë parasysh se ku jeton.