Botë

Fundi i shpresës në Lindje të Mesme

Vera duket se gjithnjë ka qenë stina më e ashpër në Lindje të Mesme. Ka shumë shembuj që e mbështesin këtë pikë. Lufta e qershorit të vitit 1967, pushtimi izraelit i Libanit më 1982, rrëmbimi i aeroplanit të vitit 1985, pushtimi irakian i Kuvajtit më 1990 dhe kërdia e “Shtetit Islamik” më 2014. Dhe vera e sivjetme tashmë i është bashkuar kësaj liste. Por, bota duhet gjithnjë të mendojë për një tjetër mundësi. Dhe duke i pasur parasysh zhgënjimin, pandeminë dhe vuajtjet e mëdha – qoftë edhe atë të urisë në rajon – do të duhej të pritej një kapitull i ri në Lindje të Mesme.

Vala që s’erdhi

Ka më shumë se një dekadë kur analistët mendonin se sistemet politike të vendeve të rajonit ishin autoritare, por stabile dhe të besueshme. Prej Pranverës arabe më 2011, zhvillimet kanë ndryshuar dhe ishte menduar se do të kishte një valë të re të përhapjes së demokracisë dhe të përparimit ekonomik.

Por ato shpresa janë davaritur tashmë. Lindja e Mesme ka një mal sfidash para vetes – ndërhyrjen e liderëve të huaj në zhvillimet e brendshme, telashet ekonomike, luftëra civile e përplasje ndërfqinjësore e konflikt politik. Por, sivjet telasheve të shumta i është shtuar edhe pandemia e koronavirusit. Dhe ky është një prej viteve që do të dallohen në historinë e Lindjes së Mesme.

Rajoni po përjeton dhunë, ringritje të autoritarizmit, ngecje ekonomike e përplasje rajonale. Dhe sa herë që kishte përplasje, gjithnjë është menduar se mund të kishte ditë më të mira për rajonin e trazuar. Jo edhe sivjet. Andaj, është plotësisht e kuptueshme që njerëzit t’i kenë humbur shpresat në Lindje të Mesme.

Lista e gjatë e të zezave

Lista e të zezave është e gjatë. Jemeni vazhdon të mbetet vendi më i varfër në rajon, ku po vazhdon lufta civile ndërmjet sekteve të armatosura e ndërhyrjes së shteteve të rajonit, qoftë drejtpërdrejt, qoftë tërthorazi nëpërmjet grupeve vendase, besnike ndaj fuqive rajonale. Dhe në kohën kur vendi është pllakosur nga pandemia, jemenasit po përballen edhe me përhapje të kolerës.

Edhe Iraku është një vend që po përballet me krizë politike, me pak gjasa se së shpejti do ta marrë veten. Kjo ndodh për shkak se elitat politike vazhdojnë të qeverisin me afera korrupsioni e me ndikime të jashtme në politikat e brendshme. Ndërkaq, Egjipti po përballet me një qeverisje autoritare të presidentit Abdel Sisi, i cili përmbyti rendin demokratik, duke fituar zgjedhjet e kontestuara më 2013. Pastaj nisi ashpërsimi i masave me qëllim që të heshtën zërat kundërshtarë. Vendi, nën sundimin e tij, ka përjetuar fushatën më epërsive dhe më gjakatare të historisë së fundit të vendit.