Marrëveshja e Prespës dhe emri i ri i shtetit, Maqedonia e Veriut, po dominojnë fushatën elektorale të kandidatëve për president shteti në këtë vend, në veçanti të dy kandidatëve maqedonas, Gordana Siljanovskës të opozitës maqedonase dhe Stevo Pendarovskit të partive në pushtet.
Edhe java e dytë e fushatës ka vazhduar me akuza mes tyre për atë nëse me Marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit është ruajtur ose jo identiteti maqedonas, nëse kjo marrëveshje garanton të ardhme, nëse sigurohet stabiliteti dhe mirëqenia e qytetarëve.
Kandidatja e opozitës, Gordana Siljanovska, në shumë tubime me elektoratin e saj, ka thënë se nuk do të njoh emrin e ri të shtetit, por ka pranuar ndërkohë se ai është pjesë e Kushtetutës, e për të cilën ka premtuar se do të paraqes nismë për ndryshimin me qëllimin kthimin e emrit Republika e Maqedonisë. Ajo madje ka kritikuar ata që e kanë akuzuar se fushata e saj e përqendruar në çështje patriotike, është e vjetërsuar.
“Nuk është e vërtetë se sot nuk është moderne të flitet për atdheun. Po na thonë se kemi mbetur në shekullin e XIX. Çdo komb ka të drejtën të ketë shtetin e tij, identitetin, gjuhën, traditën, kulturën. Atdheu është i pandarë nga kombet. Gjithçka mund të ndryshoni, ideologjinë, veshjen, por atdheun asnjëherë”, ka deklaruar kandidatja e VMRO DPMNE-së opozitare, Gordana Siljanovska.
Por, pretendimet e saj në vazhdimësi janë kundërshtuar nga kundër-kandidati i saj, Stevo Pendarovski nga LSDM-ja e që mbështetet edhe nga 31 parti tjera, përfshirë edhe BDI-në e Ali Ahmetit. Pendarovski ka thënë nëpër tubime se marrëveshja me Greqinë përveç që ruan identitetin, ajo garanton edhe të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut.