Konflikti i përshkallëzuar në kryeqytetin sudanez, Khartoum, po hyn në javën e tij të tretë, pasojat më të mëdha të të cilit po i vuajnë civilët. Kryeqytetasit sudanez janë “mes dy zjarresh” mbi largimin apo jo nga vendi i përfshirë nga lufta
Pasi luftimet kishin mbështjellë qytetin e tyre Khartoum, për më shumë se një javë, Dallia Mohamed Abdelmoniemi dhe familja e saj morën vendimin "e vështirë" për t'u larguar.
Fillimisht ata kishin planifikuar të arratiseshin më 19 prill, por makinat e tyre ishin shkatërruar nga luftimet që kishin ndodhur pranë shtëpisë së tyre. Të nesërmen erdhën të afërmit dhe i ndihmuan të zhvendoseshin në periferi të qytetit.
Nga atje ata duhej të bënin një zgjedhje - të bënin udhëtimin 1 mijë km në veri deri në kufirin e Egjiptit, e më pas në Kajro, ose udhëtimin pak më të shkurtër prej 850 km në verilindje në Portin Sudan, në Detin e Kuq.
Me luftimet midis ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF) që po zhvillohen në pjesën më të madhe të vendit, të dyja rrugët do të ishin të rrezikshme.
"Ne vendosëm të mos e provonim Egjiptin për shkak të gjatësisë së udhëtimit - kishim fëmijë dhe të moshuar me vete, kështu që nuk kishte kuptim", tha ajo për BBC-në, duke iu referuar udhëtimit që përbëhej nga 23 anëtarët e familjes.
Me mijëra që shkonin në Egjipt, ata ishin gjithashtu të shqetësuar për vonesat në kufi – meqë kishin anëtarët e familjes në Portin Sudan, ata vendosën të shkonin atje.
Udhëtimi zgjati 26 orë.
"U desh aq shumë kohë, sepse shoferi i autobusit tha se ai nuk po rrezikonte; ai nuk donte të takonte asnjë luftëtar të RSF-së, kështu që ai zgjodhi rrugën e gjatë", tha ajo.
Ata arritën të shmangnin luftëtarët e RSF-së, megjithëse kishte postblloqe të ushtrisë çdo disa orë.
"Më duhet të them se kishte shumë civilë, ata thjesht donin të siguroheshin që ne ishim familjarë dhe nuk kishte luftëtarë të RSF-së të fshehur mes nesh", tha ajo.
“Dua të kthehem”
Pavarësisht trazirave me të cilat përballet vendi - më shumë se 3.500 të plagosur dhe të paktën 400 të vrarë, megjithëse numri i të vdekurve mendohet të jetë shumë më i lartë - Abdelmoniemi tha se kishte momente emocionuese gjatë rrugës, veçanërisht kur një grup njerëzish që jetonin në krah rrugës nxituan tek autobusi i tyre për t'u ofruar pije, ushqime të lehta dhe lutje për udhëtimin e tyre.
"Ky është kujtimi i vetëm pozitiv që do të kem për këtë kohë – dhe se ne nuk kemi të bëjmë fare me luftimet dhe vuajtjet me të cilat përballet vendi ynë", tha ajo.
Autobusi i tyre mbërriti në Portin Sudan të hënën në mbrëmje, ku gjërat ishin "shumë të qeta", tha ajo.
"Është si të jesh në një planet krejtësisht të ndryshëm nga Khartoumi - nuk mendon se ka ndonjë problem këtu".
Por udhëtimi i tyre është larg nga përfundimi. Abdelmoniemi mendon se luftimet do të bëjnë që vendi të zhytet në kaos në javët dhe muajt në vijim.
Sudani tashmë ka një mungesë "akute" të ushqimit, ujit, ilaçeve dhe karburantit, si dhe qasje të kufizuar në energji elektrike dhe komunikim, tha për BBC-në, Madiha Raza, nga Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit.
"Çmimet e artikujve thelbësorë po rriten ndjeshëm për shkak të mungesës", dhe operacionet humanitare janë pezulluar, tha Raza.
Abdelmoniemi mendon se situata "do të bëhet edhe më e rëndë" dhe po planifikon ta çojë nënën e saj në një vend të sigurt, përpara se të kthehet në Sudan kur situata të jetë e qetë.
"Unë nuk dua të bëhem refugjate, dua të kthehem - e quaj veten të zhvendosur përkohësisht", tha ajo.
E pyetur se si ndihej që duhej të largohej nga shtëpia e saj, ajo e përshkroi atë si "një nga ndjenjat më të këqija që kam përjetuar - nuk do t'ia uroja as armikut tim më të keq".
"Unë nuk e di se kur do të kthehem dhe nuk e di nëse shtëpia ime do të qëndrojë ende në këmbë. Këtë ndjenjë nuk do t'ia dëshiroja askujt. Është e tmerrshme, është e tmerrshme", tha ajo.
Modaliteti i mbijetesës
Me pjesën më të madhe të luftimeve të përqendruara rreth Khartoumit, shumë banorë kanë zgjedhur të largohen, megjithëse aktualisht është e vështirë të thuhet se sa.
Megjithatë, shumë të tjerë kanë zgjedhur të qëndrojnë – edhe pse as ky nuk ka qenë një vendim i lehtë.
Tagreed Abdini është një nga ata që ka zgjedhur të qëndrojë në kryeqytet, pavarësisht se luftimet nuk janë larg nga shtëpia e saj.
Duke folur për BBC-në me telefon në një linjë që ndërpritej, të martën, asaj iu desh të ndalonte intervistën në gjysmë pasi dëgjoi granatime jashtë - pavarësisht armëpushimit, i katërti që nga fillimi i luftimeve.
Abdini tha se ndihet më e sigurt në shtëpi sesa në rrugë, ku ka dëgjuar histori - dhe ka parë video në internet - të njerëzve që "sulmohen, grabiten ose edhe më keq".
Ka gjithashtu raporte për kufoma të ushtarëve të vdekur që rreshtohen në rrugë dhe plaçkitje të gjera.
"Ne kemi energji elektrike tani për tani - kështu që ne mendojmë se shtëpia është më e sigurt sesa të dalim jashtë", tha ajo, megjithëse shtoi se disa ditë më parë ajo ndjenjë sigurie u zbeh kur një ndërtesë apartamentesh aty pranë u godit nga luftimet.
"Ne jemi në modalitetin e mbijetesës", tha ajo për familjen e saj, duke shtuar se ata aktualisht kanë energji dhe ujë.
"Ne po shpresojmë dhe lutemi që energjia të mos ndërpritet", tha ajo.
Ka edhe sfida logjistike me largimin, me rritjen e çmimeve të biletave të autobusit. Ajo tha se një udhëtim me autobus, që kushtonte 20 dollarë para fillimit të luftimeve, tani është 300 dollarë, ndërkohë që ka shqetësime edhe për vizat për bashkëshortin dhe djemtë e saj adoleshentë nëse arrijnë në kufirin egjiptian.
"Pra, për ne nuk është një rast i “paketoni valixhet dhe vraponi” - ky mund të jetë rasti për disa njerëz, por nuk është për ne", tha ajo.
Ajo shtoi se donte t'u dërgonte një mesazh atyre që luftonin - të "mbanin civilët larg nga kjo".
"Nëse arrihet ndonjë lloj marrëveshjeje, ose ndonjë presion i jashtëm, atëherë duhet të garantohen jeta dhe siguria e popullit sudanez", tha ajo. (Përktheu: Forca Jashari)