Rrugët e Brukselit janë të boshatisura edhe gjatë ditës. Njerëzit nuk e presin orën policore që këtu nis në 22 të mbrëmjes e zgjat deri në 6 të mëngjesit, për t’u mbyllur. Nuk dalin më as gjatë ditës. Thjesht, sepse nuk kanë çfarë të bëjnë në një qytet ku gjithçka është e mbyllur. Para dy javësh u mor vendim që të mbyllen kafeteritë e më vonë edhe restorantet. Ishte kjo një goditje e rëndë për pronarët e lokaleve, sepse ata tashmë kishin pësuar rëndë në valën e parë të pandemisë në pranverë, më vonë kishin investuar shumë për të përmbushur kriteret për rihapje, si sigurimin e dezinfektimeve, regjistrimin e klientëve dhe sigurimin, dhe ndarjen e hapësirës për të mundësuar distancën fizike. Por as kjo mbyllje nuk solli ndonjë rezultat dhe me shifra marramendëse vazhdoi të rritej numri i të infektuar me virusin korona. Kjo bëri që në ditët e fundit të tetorit, në prag të festës së Të Gjithë të Shenjtëve, apo Ditës së të Vdekurve, të merret vendimi drastik për mbyllje totale të Belgjikës.
Për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, Brukseli ka orë policore. Gjithçka është mbyllur, pos dyqaneve me mallra esenciale; maskat janë të obligueshme si brenda ashtu edhe jashtë; askush nuk mund të ftojë në shtëpi mysafir më shumë se një person. Derisa sytë e tërë Evropës janë kthyer nga Brukseli, në pritje të vendimeve për dalje nga kriza dhe për rimëkëmbje, Brukseli është shndërruar në kryeqytet të COVID-it. Brukseli shënon më shumë se 2000 të infektuar për 100.000 banorë në dy javët e fundit, ndërkohë që kishte caktuar numrin prej 50 infektimeve në dy javë për 100.000 banorë për shtetet që të mos vendosen në listën e kuqe. Situata në Belgjik është dramatike, me mbi 22.000 të infektuar në ditë, saqë pacientët dërgohen për shërim në Gjermani.
Ka edhe dallime nga vala e parë, kur ishte mbyllur gjithçka. Atëherë nuk kishte orë policore, por kishte kufizim të lëvizjes jashtë vendbanimit. Por tash disa shitore janë lënë të hapura nëse shesin pajisje për punëtorë në ndërtimtari, bëjnë riparime të veturave apo biçikletave, me kusht që blerësit të vijnë vetëm me rezervime paraprake. Kjo ka mundësuar që ekonomia, sado që të jetë e mundur, të vazhdojë të funksionojë dhe të mos mbyllen edhe aktivitetet ku nuk është prania e madhe e njerëzve dhe distanca nuk është e vështirë të mbahet.
Masat e rrepta në Bruksel ndihen edhe në institucionet e Bashkimit Evropian dhe në NATO. Edhe në to janë kufizuar takimet me praninë fizike të pjesëmarrësve. Shumica e madhe e zyrtarëve punojnë në distancë, nga shtëpia, ndërsa të pranishëm në zyra janë vetëm stafi i domosdoshëm. Konferencat për shtyp zhvillohen përmes videos që nga muaj mars. Edhe takimet e ministrave dhe shefave të shteteve për një kohë do të zhvillohen përmes video-konferencave. Parlamenti Evropian përsëri ka ndaluar takimet dhe i ka bartur ato në botën virtuale. Pos se janë të obliguar t’i respektojnë masat që caktojnë autoritetet e shtetit mikpritës, Belgjikës, edhe institucionet e BE-së dhe stafi i tyre janë të goditura me numër të konsiderueshëm të infektimeve.
Rreth ndërtesave të BE-së pothuajse nuk vërehet njeri. Aty-këtu ndonjë polic ose ndonjë gazetar që lajmërohet për stacionet televizive.
Në këto rrethana të jashtëzakonshme në BE miratohen dhe vendime historike. Edhe pak ditë kanë mbetur deri tek afati i fundit për arritjen e një marrëveshjeje tregtare mes BE-së dhe Britanisë së Madhe, me të cilën do të rregulloheshin raportet prej 1 janarit 2021, kur skadon afati i përkohshëm. Në mungesë të marrëveshjes do të ketë një kolaps në raporte dhe këtë do ta ndiejnë qytetarët, sepse Britania tashmë është vend jashtë BE-së. Po ashtu janë duke vazhduar edhe negociatat mes Këshillit dhe Parlamentit Evropian për kornizën shumëvjeçare financiare dhe për fondin e rimëkëmbjes, paketa në vlerë prej më shumë se 1800 miliardë eurosh. Po bëhen përpjekje edhe për reforma të sistemit të migrimit. Këto janë gjëra që kanë mbetur nën hije për shkak të pandemisë, por për të ardhmen e BE-së kanë rëndësi historike.
Por situata më e rëndë është në spitalet e Belgjikës. Ky shtet, i cili deri vonë krenohej se ka një prej sistemeve më funksionale shëndetësore në botë, ka kolapsuar. Nuk ka vende më në spitale në departamentet për COVID, ku kapacitetet ishin rreth 5000 shterët, ndërsa tashmë janë të shtruar më shumë se 6000 pacientë. Në Bruksel nuk ka më vende të lira në njësitë e kujdesit intensiv dhe tash e sa javë pacientët dërgohen në spitale të tjera. Para tri ditësh Belgjika ka bërë një marrëveshje me Gjermaninë dhe po i dërgon pacientët në këtë shtet fqinjë.
“Kjo është dëshmia më e mirë e një solidariteti evropian. Nëse Gjermania ka vende të lira në spitale, duhet t’i shfrytëzojmë”, ka thënë ministri belg i Shëndetësisë, Frank Vandenbroek. Vërtet, edhe Gjermania ka probleme me rritjen e numrit të të infektuarve. Dhe në Gjermani janë shumë të shqetësuar për këtë dhe po ashtu kanë marrë masat drastike. Por situata në Gjermani nuk është as për së afërmi aq e rëndë sa në Belgjikë.
Gjermania ditëve të fundi arrin shifrat prej rreth 15,000 mijë të infektuar në ditë, ndërsa Belgjika kalon shifrën prej 22,000. Dhe tash testohen vetëm ata që sigurojnë kërkesën e mjekut dhe dëshmojnë se kanë simptoma. Prandaj numri duhet të jetë shumë më i madh, sepse kati gjysma e atyre që më parë rezultuan pozitivë nuk kishin simptoma fare. E me numër të popullatës, Belgjika është tetë herë më e vogël. Vetëm në muajin tetor besohet së është infektuar 5 për qind e popullatës së Brukselit, nëse merren vetëm shifrat e rasteve të konfirmuara. Brukseli, më saktësisht Bashkimi Evropian, ka caktuar rregullat, sipas të cilave shtetet e caktuara mund të vendosen në listën e kuqe prej nga qytetarët që vijnë duhet të vendosen në karantinë. Por këto kushte Brukseli i ka tejkaluar më shumë se 50 fish. Me ironi disa qytetarë thonë se Brukseli është “jo në listën e kuqe, por në të zezë”.
Në vendet e zhvilluara demokratike gjithmonë është e rëndësishme se kush mban përgjegjësinë. Prandaj si shifra kryesore nuk shihen ato të numrit të infektimeve, por numri i atyre që janë shtrirë në spital.
“Nuk bën që askush të vdesë në Belgjikë për shkak se nuk ka pasur vend të lirë në spital”, thoshin deri vonë zyrtarët shtetërorë. Por tash është arritur limiti dhe, po të mos merreshin masat, shumë lehtë, për dy a tri ditë, do të vinte situata kur spitalet do t’i mbyllnin dyert apo mjekët do të duhej të vendosnin se kënd mund ta pranonin e kënd jo në spital, me fjalë të tjera të vendosnin se kujt do të mundoheshin t’ia shpëtonin jetën e kujt jo. Diçka e paimagjinueshme për një shtet të zhvilluar siç është Belgjika, ku pikërisht kontributet për sigurimin shëndetësor janë ndër detyrimet më të mëdha që paguajnë taksapaguesit.
Tashmë nuk flitet për parandalim të krizës, por të katastrofës. Dhe Belgjika po i bën të gjitha, nga kërkimi i ndihmës ndërkombëtare, angazhimi i ushtrisë, shndërrimi i hoteleve në spitale e deri te ftesa që të punojnë edhe mjekët të cikët janë të infektuar edhe vetë me virusin korona. Kur ishte përmendur se në Belgjik kanë kërkuar që të punojnë edhe mjekët e infektuar me virus, është menduar se është një lajm i rrejshëm, por shpejt është konfirmuar, me konfirmimin e kushteve nën të cilat ata do të punonin. Pra, nëse nuk kanë simptoma të rënda dhe të mos jenë në kontakt me kolegët e painfektuar.
Belgjika, krahasuar me numrin e banorëve, mban rekordin e zi edhe për nga numri i të vdekurve nga virusi korona. Nga ky virus kanë vdekur deri me tash më shumë se 12,000 njerëz, shumica e madhe në valën e parë. Përqindja e vdekjeve në valën e dytë është dukshëm më e vogël, por ekspertët kanë frikë se edhe këto shifra do të rriten, sepse rritja e numrit të vdekjeve pason pas dhjetë ditë rritjen e numrit të infektimeve.
Pyetja më e shpeshtë që dëgjohen nga njerëzit në Belgjikë është “Si është e mundur?”. Gjatë tërë verës ekspertët tërhiqnin vërejtjen se në vjeshtë do të ketë numër të madh të infektimeve, sepse nxënësit do të kthehen nëpër shkolla, njerëzit nëpër zyra, do të rrinë më shumë në ambiente të mbyllura sesa të hapura, do të kthehen nga pushimet e verës, ndërsa edhe imuniteti i njerëzve do të jetë më i dobët sesa gjatë verës. Por të fokusuar në rimëkëmbjen nga kriza më e madhe ekonomike dhe të mashtruar nga ndjenja se ata po kthehen në normale, si dhe ndjenja se spitalet janë mësuar, dinë më shumë dhe kanë kapacitete të mjaftueshme, janë injoruar thirrjet e ekspertëve. Prandaj Belgjika edhe e ka mbërritur shifrën prej 430.000 të rasteve të konfirmuara të infektimeve dhe i ka mbushur të gjitha 2000 vendet në njësitë e kujdesit intensiv nëpër spitalet e saj dhe duhet të mbështetet në ndihmën e vendeve tjera.
Tash e tërë Belgjika, sikur edhe vendet fqinje, është në pritje të shohin a do të japin apo jo rezultate masat drastike në fuqi. Nën këto masa kaloi festa e Shumë të Shenjtëve dhe nuk pati defile të fëmijëve nëpër rrugë (Halloween - një traditë amerikane që është përhapur edhe në Evropë) do të kalojë edhe ajo e Shënkollit e me gjatë edhe festat e fundvitit. Reale duket edhe perspektiva e kthimit të normales diku në pranverë për festat e Pashkëve. Sepse ekziston frika se kriza mund edhe të thellohet sapo të përhapet edhe gripi sezonal.
Por ekziston edhe shpresa se së shpejti do të nisë vaksinimi i kategorive më të rrezikuara, punëtorëve në shëndetësi dhe të moshuarve, mbi moshën 65 vjeçe. Komisioni Evropian pohon se tashmë ka porositur sasi të mjaftueshme të vaksinave nga prodhuesit potencialë të cilët vetëm po presin konfirmimin dhe lejen për përdorim masiv. Por, edhe për vaksinim të numrit të madh të qytetarëve, edhe kur të vijë vaksina, duhet të kalojnë disa muaj. Deri atëherë Brukseli do të vazhdojë të jetë i mbyllur, apo të kalojë nëpër hapa të gjysmëmbylljes dhe gjysmëhapjes.
Shumë njerëz janë të revoltuar dhe të frustruar. Por duhet kuptuar edhe ata që janë përgjegjës për marrjen e vendimeve. Sepse nuk ka vendime të mira. Vendimi për mbylljen sjell qindra miliona humbje. Shumë njerëzve, sidomos bizneseve të vogla, mund t’ua shkatërrojë edhe jetën. Por në anën tjetër vendimet për t’i lënë hapur mund të kushtojnë me jetë të njerëzve. Dhe kjo, megjithatë, ka prioritet. Prandaj shumica e njerëzve, edhe pse të frustuar, i respektojnë masat e kufizimit.
{gallery}