Botë

Analizë e CNN: Putinit po i ikën koha dhe ai e di këtë

Koha po ikën për presidentin rus, Vladimir Putin dhe ai e di këtë. Derisa bombardimet po vazhdojnë, Putini deklaroi se Luhansku, Donetsku, Zaporizhzhia dhe Khersoni do të bëhen pjesë e Rusisë “përgjithmonë”.

Putini po nxiton ta “çimentojë” fitoren mbi këto katër rajone, derisa i bëri thirrje Ukrainës “që ta ndalojë zjarrin” dhe të ulet në tryezën e bisedimeve.

Andrey Kortunov, që drejton Këshillin e Çështjeve Ndërkombëtare të Rusisë, deklaroi se Putini dëshiron t'i japë fund luftës "sa më shpejt që të jetë e mundur".

Përpjekja e ashpër e Putinit për rekrutimin e 300 mijë trupave nuk do të ndryshojë humbjen e tij në fushëbetejë. Sipas të dhënave zyrtare të Bashkimit Evropian, nëpërmjet Gjeorgjisë dhe Kazakistanit, rreth 220 mijë rusë kanë ikur nga territoret ruse, pasi Putini dha urdhër për mobilizim të pjesshëm.

Shifrat, sipas BE-së, po rriten edhe më tej. Vetëm në javët e fundit, më shumë burra rusë kanë ikur nga Rusia, sesa që kanë pranuar t’u bashkohen forcave ushtarake.

Ora po troket me zë të lartë për Putinin, sepse kurrizin e ka pas murit.

Kortunov deklaroi se nuk e di çfarë po ndodh në Kremlin, por se vërehet disponimi publik mbi kostot e mëdha dhe humbjet në luftë.

“Shumë njerëz do të fillonin të bënin pyetje, pse u futëm në këtë rrëmujë. Pse, pse humbëm kaq shumë njerëz”, tha ai.

Opsioni logjik i Putinit, sipas zyrtarit rus, është të shpallë fitoren dhe të dalë nga lufta me kushtet e tij. Por për këtë, sipas Kortunovit, duhet të arrihet diçka “të rëndësishme” në terren.

“Rusia nuk mund të arrijë thjesht atje ku ishte, më 24 shkurt të këtij viti. ‘Misioni është ynë është kryer, kështu që ne shkojmë në shtëpi’. Duhet të ketë diçka që t’i paraqitet publikut si fitore”, deklaroi Kortunov.

Udhëheqësit perëndimorë janë në një betejë të afërt me Putinin. Të dielën e kaluar, këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, deklaroi se Uashingtoni do t’i përgjigjet me vendosmëri “nëse Rusia përdor armë bërthamore kundër Ukrainës”.

Perëndimorët janë zotuar gjithashtu që të mos i njohin rajonet si pjesë e territorit rus.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, deklaroi se veprimet e Moskës “nuk kanë legjitimitet”, duke shtuar se SHBA-ja do t’i respektojë gjithmonë kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës.

Bashkimi Evropian në anën tjetër, u shpreh se nuk do ta njohë “aneksimin e paligjshëm” të Kremlinit.

Kurt Volker, ish-i dërguari i SHBA-së në NATO dhe përfaqësues në Ukrainë nën Administratën e presidentit Donald Trump, deklaroi se Putini po përgatitet për paqe.

“Mendoj se ajo për të cilën ai duhet të përpiqet, është të vërshëllejë armë bërthamore, t’i bëjë të gjitha llojet e kërcënimeve ndaj Evropës dhe pastaj të thotë: Në rregull, kështu që të negociojmë për një zgjidhje. Dhe më lejoni mua që ta marr ata që kam tashmë”, tha Volker.

Ndërsa, Fiona Hill, që ka këshilluar tre presidentë amerikanë për sigurinë kombëtare në lidhje me Rusinë, shtoi se Putini po përgatitet për një “lojë përfundimtare”.

“Ai ndjen një urgjencë akute të humbjes së vrullit dhe tani po përpiqet të dalë nga lufta në të njëjtën mënyrë si hyri në të”, tha ajo.

Nëse këto analiza janë të sakta, ato çojnë drejt shpjegimit se çka ndodhi të hënën e kaluar në Detin Baltik.

Sizmologët danezë dhe suedezë regjistruan valë tronditëse shpërthyese afër shtratit të detit: e para, rreth orës dy të mëngjesit me orën lokale kishte magnitudë 2.3, pastaj përsëri, rreth orës 19:00, u regjistrua goditje me magnitudë 2.1.

Brenda pak orësh, forca daneze e gjermane dërguan anije luftarake për ta siguruar zonën dhe Norvegjia rriti sigurinë përreth objekteve të gazit dhe naftës. Deri më tani janë zbuluar të paktën katër rrjedhje të tubacionit 1 dhe 2 të Nord Stream të Rusisë. Secila prej tyre nxori sasi të gazeve toksike.

Anijet e marinës ruse janë parë ditë më parë nga zyrtarët evropianë në zonën ku ndodhën shpërthimet, thanë burimet e inteligjencës perëndimore. Këshilli i NATO-s e përshkroi sulmin si akt të qëllimshëm, të pamatur dhe të papërgjegjshëm.

Rusia mohoi përfshirjen në këtë incident, duke shtuar se po i kryen hetimet e saj. Por, ish-shefi i CIA-s, John Brennan, shtoi se Rusia ka ekspertizën për ta shkaktuar këtë lloj dëmi.

“Është një sinjal për Evropën që Rusia mund të arrijë përtej kufijve të Ukrainës. Pra, kush e di se çfarë mund të planifikojë më pas”, shtoi ai.

Nord Strem 2 nuk ishe kurrë funksional, ndërsa Nord Stream 1 ishte frenuar nga presidenti Putin, derisa Evropa po tentonte t’i mbushte rezervat e gazit para dimrit. Sipas këshilltares Hill, sabotimi i gazit rus mund të jetë “hedhja e fundit e zareve” nga presidenti Putin.

Një faktor tjetër që shtynë Putinin të mendojë është afrimi i dimrit. Napoleoni (ish-lideri francez) dhe Hitleri (ish-lideri i Gjermanisë naziste), nuk arritën të merrnin Moskën pasi linjat e furnizimit nëpër Ukrainë ishin shumë të gjata dhe vështira gjatë dimrit. Sipas ekspertëve, kjo e shpëtoi Rusinë dy herë, ndërsa vetë Rusia do të përballet tash më këtë.

“Këtë herë është Rusia që duhet t’i furnizojë linjat, duke u përpjekur t’i mbajë forcat e saj në Ukrainë. Do të jetë shumë e vështirë këtë dimër. Pra, krejt papritur, për të gjithë këtë faktorë, afati kohor i Putinit është zvogëluar”, deklaroi ish-zyrtari amerikan në Ukrainë, Kurt Volker.

Përktheu: Ermir Bujupaj