Rusia është tërhequr zyrtarisht të martën nga një traktat historik i sigurisë që kufizonte kategoritë kryesore të forcave të armatosura konvencionale, duke fajësuar Shtetet e Bashkuara për minimin e sigurisë së pas Luftës së Ftohtë me zgjerimin e aleancës ushtarake të NATO-s, raportoi të martën Reuters.
Traktati i vitit 1990 për Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë, i nënshkruar një vit pas rënies së Murit të Berlinit, vendosi kufizime për kategoritë e pajisjeve ushtarake konvencionale që NATO dhe Pakti i atëhershëm i Varshavës mund të vendosnin.
Traktati ishte krijuar për të parandaluar që secila palë e Luftës së Ftohtë të grumbullonte forca për një ofensivë të shpejtë kundër tjetrës në Evropë.
Rusia pezulloi pjesëmarrjen në traktat në vitin 2007 dhe ndërpreu pjesëmarrjen aktive më 2015. Më shumë se një vit pas pushtimit të plotë të Ukrainës, Presidenti Vladimir Putin në maj nënshkroi një dekret që denonconte paktin.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha se vendi është tërhequr zyrtarisht nga pakti në mesnatë dhe se traktati tani mbetet vetëm "histori".
"Traktati CFE u përfundua në fund të Luftës së Ftohtë, kur formimi i një arkitekture të re të sigurisë globale dhe evropiane të bazuar në bashkëpunim dukej i mundur”, ka thënë ministria ruse.
Rusia tha se shtytja e SHBA-së për zgjerimin e NATO-s ka çuar në vendimin që vendet e aleancës të anashkalonin haptazi kufizimet e grupit të traktatit dhe sipas saj, pranimi i Finlandës në NATO dhe aplikimi i Suedisë nënkuptonte se traktati ishte i vdekur.
Pasi Rusia njoftoi synimin e saj për të dalë nga traktati këtë vit, NATO e dënoi vendimin, duke thënë se ai minonte sigurinë euro-atlantike.