Botë

Hija e Rusisë në Lindjen e Mesme

Për Putinin, sulmi i Hamasit dhe pushtimi i parashikuar tokësor i Rripit të Gazës paraqet mundësi për të hequr statusin e tij të padëshirueshëm dhe për të ngritur profilin e tij teksa Lindja e Mesme përballet me krizën e saj më të rrezikshme në vitet e fundit.

Rusia me kujdes ka kritikuar Izraelin dhe Hamasin për konfliktin e tyre. Mirëpo ky konflikt është duke i dhënë Moskës mundësi të reja të pushtetit - që ta forcojë rolin e saj si ndërmjetësuese e fuqisë globale dhe të sfidojë përpjekjet e Perëndimit për ta izoluar për shkak të Ukrainës.

Teksa Moskës i mungon leva për të ndërmjetësuar marrëveshjen në Lindjen e Mesme, do të bëjë përpjekje që të luajë rol në problemet me reagimin e Perëndimit ndaj kësaj krize. Gjithashtu pret që lufta Izrael-Hamas ta shpërqendrojë vëmendjen prej luftës në Ukrainë dhe ta thyejë mbështetjen për Kievin.

Sidoqoftë, ka rreziqe për Moskën. Mund ta dëmtojë lidhjen me Izraelin, e cila deri tani i ka pamundësuar Izraelit të dërgojë armë në Ukrainë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dënuar sulmin e 7 tetorit të kryer nga militantët e Hamsit në qytetet jugore të Izraelit. Në të njëjtën kohë ka paralajmëruar Izraelin kundër bllokimit të Rripit të Gazës, duke e krahasuar atë me rrethimin e Leninigradit nga Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ai e ka përshkruan konfliktin në Lindjen e Mesme si dështim të diplomacisë së Shteteve të Bashkuara, duke akuzuar se Washingtoni ka zgjedhur këtë kundër përfitimeve ekonomike të palestinezëve dhe ka braktisur përpjekjet për të ndihmuar në krijimin e shtetit palestinez.

Roli i negociueses

Në fillim të muajit, Putini ka deklaruar që Moska mund ta luajë rolin e negociueses, falë lidhjeve miqësore me Izraelin dhe me palestinezët, duke shtuar se “askush nuk mund të dyshojë te ne për mbajtjen e një ane”.

Përkundër pretendimit të paanshmërisë, rezoluta e Këshillit të Sigurisë të OKB-së e dorëzuar javën a kaluar nga Rusia dënonte dhunën kundër civilëve, pa përmendur Hamasin. U refuzua nga Këshilli.

Kina ishte në mesin e të paktave shteteve që përkrahin rezolutën ruse, duke reflektuar qëndrimin e përbashkët të Moskës dhe Pekinit. Delegatët kinezë dhe rusë për Lindjen e Mesme u takuan javën e kaluar për të diskutuar rreth mundësisë për qetësimin e situatës, duke e vënë në dukje besnikërinë e tyre për zgjidhje për të dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve.

Derisa presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, kryeministri britanik, Rishi Sunak, dhe udhëheqësit e tjerë perëndimorë vizituan Izraelin për të treguar mbështetjen, Putini ka pritur nëntë ditë para se ta telefononte kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ndonëse ata kanë zhvilluar lidhje të ngushta më parë. Putini gjithashtu ka diskutuar luftën përmes thirrjeve telefonike me udhëheqësit e Egjiptit, Iranit, Irakut, Sirisë dhe shefit të autoritetit palestinez.

Putini i ka shprehur Netanyahut ngushëllime për familjet izraelite të vrara nga Hamasi dhe ka theksuar “kundërshtimin e tij të fortë dhe dënimin e këtyre veprimeve që i bëjnë viktima popullin civil, duke përfshirë gra dhe fëmijë”, thuhej në një deklaratë të Kremlinit. Ai gjithashtu ka theksuar nevojën për “zgjidhje paqësore përmes çështjeve politike dhe diplomatike”. Zyra e Netanyahut ka thënë se ai i ka thënë Putinit që Izraeli nuk do të ndalet derisa ta eliminojë Hamasin.

Image
Rusia me kujdes ka kritikuar Hamasin dhe Izraelin për konfliktin, pasi me të dyja palët ka lidhje të ngushta

Kritikat në Rusi

Ndryshe nga Putini, i cili me kujdes i ka balancuar deklaratat e tij, zyrtarët e tjerë rusë ishin më direkt në kritikat e tyre rreth sulmeve izraelite në Gaza.

Konstantin Kosachev, zëvendëskryetari i dhomës së lartë të Dumës ruse, ka deklaruar se teksa Hamasi nisi luftën, përgjigjja e Izraelit ishte “disproporcionale” dhe “ “jonjerëzore”.

Manovrimi i Kremlinit mund të reflektojë politikat e brendshme, me faktin që myslimanët përbëjnë 15% të popullsisë. Udhëheqësi i Çeçenisë i mbështetur nga Moska, Ramzan Kadyrov, ka folur fuqishëm për mbështetjen e palestinezëve, duke akuzuar Izraelin për aneksimin e tokave të tyre dhe duke krijuar bllokada.

Qëndrimi i Moskës ka nxitur reagimin nga Hamasi, që thoshte se e vlerëson thirrjen e Rusisë për armëpushim. Deklaratat e Rusisë luajnë rol të mirë në botën arabe, ku shumë prej tyre kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë që e mbështesin Izraelin duke e mbyllur njërin sy në rritjen e numrit të të vdekurve në Gaza.

Por kjo pozitë gjithashtu i kërcënon lidhjet e ngushta mes Izraelit dhe Rusisë, e cila nuk u është bashkangjitur sanksioneve perëndimore kundër Moskës dhe as nuk i ka dhënë armë Ukrainës.

“Është kërcënim i vërtetë i çarjes së lidhjeve tona me Izraelin në situatën e tanishme,” ka thënë Andrei Kurtunov, drejtor akademik i Këshillit të Çështjeve Ndërkombëtare Ruse.

Pakënaqësia e Izraelit

Gazeta “The Times” e Izraelit ka raportuar të martën se një diplomat izraelit ka shprehur me zyrtarët diplomatik të Moskës “pakënaqësinë me rolin që Rusia është duke luajtur”, duke i dhënë zë shpresës që Kremlini do të marrë pozita më të balancuara.

Amir Weitman, anëtar udhëheqës i partisë Likud të Netanyahut, ka akuzuar Rusinë për mbështetjen e Hamasit. Duke folur në transmetuesin RT të paguar nga Kremlini, ai ka paralajmëruar që pasi Izraeli ta mposhtë Hamasin,“ne do të sigurohemi që Ukraina të fitojë dhe do të sigurohemi që ta paguani çmimin e asaj që keni bërë”.

I pyetur rreth kritikave të Izraelit për qëndrimin e Moskës mbi luftën, folësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, ka theksuar dënimin e Rusisë mbi terrorizmin dhe ka ripohuar shtytjen për një armëpushim dhe nevojën për një shtet palestinez.

Në mes të asaj që Izraeli sheh si një qëndrim propalestinez nga Moska, disa zëra të shquar rusë kanë mbështetur Izraelin.

Në një shenjë të simpative të ndara, udhëheqësi i emisionit më të famshëm të politikës në televizionin e shtetit rus, Vladimir Solovyov, ka hequr nga puna një ekspert në panelin televiziv, i cili ka supozuar në një intervistë se dy nga diplomatët kryesorë të Moskës kanë ndjenja antiizraelite.

Eksperti Yevgeni Satanovsky përshkroi të dërguarin e Rusisë në Lindjen e Mesme, zëvendësministrin e Jashtëm, Mikhail Bogdanov, si përkrahës të vendeve arabe dhe pretendoi se zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, e urren Izraelin. Më vonë ai kërkoi falje.

Disa komentatorë kanë përshkruar ndjenjat antiizraelite si rikthim në kohët sovjetike.

Shoqëria me arabët kundër Izraelit dhe Perëndimit është pjesë e rëndësishme e asaj trashëgimie’’, tha në një analizë Alexander Baunov i Qendrës Carnegie Russia Eurasia.

“Një rebelim kundër rendit perëndimor në një masë të caktuar i bën Rusinë dhe Hamasin aleatë të natyrshëm dhe sigurisht i pengon ata të jenë armiq”, ka thënë ai.

Kortunov i Këshillit të Çështjeve Ndërkombëtare Ruse argumentoi se Rusia mund të përdorë kontaktet e saj të forta me Iranin dhe Sirinë për të ndihmuar në negocimin e marrëveshjes.

Rusia mund të jetë pjesë e koalicionit të shumanshëm që do të ofronte garanci sigurie”, ka thënë ai. “Është shumë e rëndësishme që të ruhet qasje e ekuilibruar dhe delikate që nuk do të ndante asnjërën palë”.

Izabella Tabarovsky, këshilltare e lartë në institutin Kennan, ka thënë se për Putinin, “sulmi i Hamasit dhe pushtimi i parashikuar tokësor i Rripit të Gazës paraqet mundësi për të hequr statusin e tij të padëshirueshëm dhe për të ngritur profilin e tij teksa Lindja e Mesme përballet me krizën e saj më të rrezikshme në vitet e fundit. (Përkthyer nga: Bleona Ameti)