Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amirabdollahian, ka paralajmëruar të enjten në Kombet e Bashkuara se nëse hakmarrja e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës nuk përfundon, atëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të kursehen.
Në një takim të Asamblesë së Përgjithshme prej 193 anëtarësh për Lindjen e Mesme, Amirabdollahian ka thënë se Irani nuk e mirëpret një zgjerim të luftës në rajon.
“U them sinqerisht shtetarëve amerikanë, që tani po menaxhojnë gjenocidin në Palestinë, se ne nuk e mirëpresim një zgjerim të luftës në rajon. Por nëse gjenocidi në Gaza vazhdon, ata nuk do të kursehen”, ka thënë ai.
Kryediplomati iranian ka akuzuar Izraelin se është zotuar ta zhdukë Hamasin, si hakmarrje për sulmin e 7 tetorit që vrau 1,400 njerëz, ndërsa qindra të tjerë janë marrë peng.
“Izraeli ka goditur Gazën nga ajri, ka vendosur një rrethim dhe po përgatit një pushtim tokësor. Autoritetet palestineze thonë se më shumë se janë vrarë më shumë se 7,000. Hamasi i ka thënë Iranit se ishte gati të lironte pengjet civile, duke shtuar se bota duhet të kërkojë lirimin e 6,000 palestinezëve në burgjet izraelite”, ka shtuar Amirabdollahian.
Ai më tej ka thënë se Irani, bashkë me Katarin dhe Turqinë, janë të gatshëm të luajnë rolin e tyre në përpjekjet “e rëndësishme humanitare”, përfshirë domosdoshmërinë e lirimit të 6,000 të burgosurve palestinezë.