Botë

Sulm me dron në afërsi të një baze ushtarake në Rusi

Një sulm me dron ka shkaktuar shpërthim të madh në afërsi të një baze ushtarake ruse në qytetin Rostov-on-Don të enjten, ndërsa Kievi po vazhdon fushatën e sulmeve ajrore strategjike në territorin rus, raporton CNN.

Në videot e publikuara shihet shpërthimi në afërsi të bazës ushtarake. Në një postim në Telegram të enjten, guvernatori rajonal i Rostovit, Vasily Golubev, ka thënë se një person është lënduar dhe disa vetura janë dëmtuar, pasi dy dronë janë shkatërruar nga mbrojtja ajrore ruse.

Ai ka thënë se 100 personave u është ofruar akomodim i përkohshëm. Kievi nuk ka komentuar në lidhje me sulmin.

Rostov-on-Don gjendet në jug të Rusisë, jo shumë larg kufirit me Ukrainën. Shkurtazi ishte pushtuar nga trupat e Wagnerit gjatë rebelimit kundër Kremlinit më herët këtë vit.

Ky sulm ishte një nga disa që ndodhën në Rusi gjatë orëve të vonshme së të mërkurës e orëve të hershme të së enjtes. Kryetari i Moskës, Sergey Sobanin në postim në Telegram ka thënë se mbrojtja ajrore ka ndaluar një sulm me dron në afërsi të Moskës.

Të mërkurën, të paktën 17 persona humbën jetën, përfshirë një fëmijë, pasi një raketë ruse goditi një treg në rajonin lindor ukrainas Donetsk.

Ishte një nga sulmet më të rënda në muajt e fundit.

“Trupat ruse janë terroriste dhe nuk do të falen apo lihen të qeta. Do të ketë një shpagim për çdo gjë”, ka thënë kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal për “Telegram”.

Ndërkohë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të enjten se Ukraina gradualisht po përparon në kundërofenzivën.