Botë

Vdes njëri nga pilotët më të famshëm të Ukrainës

Autoritetet ukrainase kanë nisur hetimin për përplasjen mes dy aeroplanëve luftarakë duke lënë të vdekur tre pilotë, në mesin e tyre edhe Andriy Pilshchykov, i njohur me nofkën “Juice”.

Ky pilot për kohë të gjatë ka bërë thirrje që forcat ukrainase të armatoseshin me aeroplanët amerikanë F-16.

Ai u bë i njohur në fillim të pushtimit kur me aeroplanë rrëzonte raketat ruse.

Autoritetet ukrainase kanë njoftuar se dy aeroplanët L-39 janë përplasur gjatë një misioni në rajonin Zhytomyr.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy në një fjalim të shtunën, pilotin e ka cilësuar si oficer ukrainas, i cili ndihmoi shumë Ukrainën.

Pilshchykov në një intervistë për transmetuesin britanik Sky News, në muajin shkurt, kishte thënë se aeroplanët F-16 ishin zgjidhja më e mirë për situatën aktuale të luftës me Rusinë.