Ushtarët e Nigerit në Afrikën Perëndimore njoftuan nëpërmjet televizionit kombëtar se kanë nisur një grusht-shtet, raportoi BBC-ja të enjten.
Ata thanë se kanë shpërbërë kushtetutën, pezulluan punën e institucioneve dhe mbyllën kufijtë e vendit. Ndërsa, trupat e gardës presidenciale po e ruajnë presidentin Mohamed Bazoun që nga orët e para të së mërkurës.
Atij iu premtua “mbështetje e palëkundur” e Washingtonit nëpërmjet një telefonate nga Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.
Përkrahje i dha edhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres. Bazoum është aleat i Perëndimit në luftën kundër militantëvë islamikë në Afrikën Perëndimore.
Dy vende fqinje, Mali dhe Burkina Faso, kanë përjetuar grusht-shtet nga kryengritje xhihadiste viteve të fundit.
Republika e Nigerit është shtet me rreth 25 milionë banorë. Mbi 90 për qind e popullatës i takojnë besimit Islam, ndërsa brenda vendit ka dhjetëra grupe etnike. Shteti njeh mbi pesë gjuhë zyrtare.