Botë

Tetë të plagosur nga sulmi në Izrael, vritet autori i sulmit

Një palestinez mësyu t’i shkelte me furgon dhe t’i sulmonte me thikë kalimtarët në Tel-Aviv, në një sulm të pretenduar nga grupi militant Hamas, në të cilin mbetën të plagosur tetë persona.

Sipas njoftimit nga policia izraelite, 20-vjeçari palestinez, nga Bregu Perëndimor i pushtuar, u qëllua për vdekje nga një civil i armatosur. E agjencia izraelite e sigurisë, Shin Bet, njoftoi se sulmuesi hyri në vend pa leje dhe nuk kishte të dhëna për shkelje të sigurisë.

“Një terrorist është vrarë e tetë persona të tjerë janë plagosur - dy prej tyre në gjendje kritike, tre në gjendje më të lehtë, kurse të tjerët kanë pësuar plagë të pakta. Terroristi është banor i territoreve palestineze dhe në këtë moment janë bërë disa arrestime që ndërlidhen me të. Por, nuk do të hyj në detaje, pasi që ende po shqyrtohen rrethanat”, ka thënë Kobi Shabtai, shef i Policisë.

Hamasi ka pretenduar se 20-vjeçari ishte anëtar i grupit, përderisa sulmin në kryeqytetin tregtar të Izraelit e ka kualifikuar si hakmarrje për bastisjen e vazhdueshme ushtarake në qytetin e Jeninit në Bregun Perëndimor, në të cilin janë vrarë 10 palestinezë gjatë përleshjeve me persona të armatosur.

Grupi militant e ka cilësuar sulmin si operacion heroik dhe akt vetëmbrojtjeje karshi masakrës së vazhdueshme sioniste në Jenin, krimeve të zhvendosjes, vrasjeve dhe shkatërrimit të vendit nga forcat pushtuese.

Në pamjet e publikuara në internet shfaqet shoferi i furgonit tek del nga dritarja e automjetit, duke e sulmuar me thikë një person dhe duke ndjekur më pas edhe persona të tjerë.

Khaled Al-Batsh, zyrtar i lartë nga lëvizja e Xhihadit Islamik të mbështetur nga Irani, e ka kualifikuar sulmin si përgjigje fillestare dhe të natyrshme të rezistencës ndaj asaj që po ndodh në Jenin.

E një zëdhënës i shërbimit të emergjencës ka bërë të ditur se disa nga tetë personat ishin therur me thikë.