Autoritetet franceze kanë thënë se 719 persona janë arrestuar mbrëmë në protestat e dhunshme në Francë. Ishte nata e pestë që u protestua që nga vrasja e të riut Nahel M., raporton BBC.
Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmian, ka thënë se numri i të arrestuarve është më i ulët se një natë më parë.
Është njoftuar për 45 policë të lënduar, dhe ndezjen e mbi 800 zjarreve nga protestuesit.
Rreth 45 mijë policë janë vendosur nëpër Francë për ta menaxhuar situatën.
Është njoftuar po ashtu se protestuesit me veturë janë përplasur në shtëpinë e kryebashkiakut të L’Hay-les-Roses, që gjendet në periferi të Parisit.
Sulmi ka ndodhur rreth orës 01:30 të dielën, ndërsa Vincent Jeanbrun ishte në zyrë.
Bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët ishin duke fjetur kur protestuesit u futën nëpërmjet portave dhe ia vunë zjarrin veturës.
Kur bashkëshortja e tij dhe fëmijët tentuan të largoheshin, ata u qëlluan me fishekzjarrë. Si rezultat është lënduar bashkëshortja dhe një nga fëmijët.
Jeanbrun e ka quajtur këtë “tentim vrasje dhe qyqarllëk”.
Policia ka nisur hetimet.