Udhëheqësi konservator grek, Kyriakos Mitsotakis, ka mposhtur rivalin e tij të qendrës së majtë në zgjedhjet e dyta brenda një muaji. Partia e tij, Demokracia e Re fitoi 40.55 për qind të votave, apo 22 më shumë se partia e dytë në këto zgjedhje, Syriza. Mitsotakis, për të cilin ky do të jetë mandati i dytë si kryeministër, ka premtuar shtet më efikas si dhe shërbim shëndetësor e arsim më të mirë
Udhëheqësi i qendrës së djathtë të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis fitoi lehtësisht mandatin e dytë si kryeministër me diferencë të madhe ndaj opozitës së krahut të majtë, në zgjedhjet e së dielës, e që mundësuan edhe futjen e partive të reja të ekstremit të djathtë në Parlament.
Me 99% të votave të numëruara, partia Demokracia e Re e Mitsotakisit fitoi 40.55 për qind, më shumë se dyfishi i partisë kryesore opozitare Syriza, që fitoi 17.84 për qind.
“Me rezultatin e sotëm të zgjedhjeve, Greqia hap një kapitull të ri historik në rrjedhën e saj. Për të dytën herë brenda pak javësh, qytetarët jo vetëm që dërguan mesazhin e vazhdimësisë në rrugën që nisëm katër vjet më parë, por na dhanë një mandat të fortë për të ecur më shpejt në rrugën e plotësimit të nevojave që ka vendi ynë”, tha kryeministri aktual Kyriakos Mitsotakis.
Mitsotakis ka shtuar se nuk mund të premtojë mrekulli, porse Demokracia e Re ka synime të mëdha për një shtet më efikas, shërbim shëndetësor dhe arsim më të mirë.
Kyriakos Mitsotakis mundi rivalin e tij të qendrës së majtë Syriza, Alexis Tspiras, edhe në maj, por në atë kohë nuk arriti të krijojë Qeverinë, për çka u deshën zgjedhjet e reja
Pas rezultatit zgjedhor ka reaguar edhe Tspiras, duke e quajtur atë negativ për vendin.
“Rezultati zgjedhor është padyshim negativ për ne, megjithëse rreziku i kolapsit që doli në sipërfaqe pas votimit proporcional të thjeshtë, në zgjedhjet e majit, u shmang dhe Aleanca Progresive Syriza mbetet partia kryesore opozitare. Kemi pësuar disfatë të rëndë zgjedhore. Por besoj se rezultati zgjedhor është kryesisht negativ edhe për shoqërinë dhe demokracinë”, ka deklaruar Tspiras.
I mbajtur sipas një ligji të ri zgjedhor që i jep përparësi partisë së parë, votimi i së dielës i ka dhënë partisë së Mitsotakisit, Demokracia e Re një shumicë komode prej 158 vendesh në parlamentin prej 300 anëtarësh, derisa Syriza mori 48.
Ligji i ri u fut në fuqi mes dy palë zgjedhjeve. (Përgatiti Blerta Haxhiu)