Botë

Asnjë provë direkte se COVID-19 rrodhi nga laboratori i Wuhanit, thotë inteligjenca amerikane

Wuhan - COVID-19 - koronavirus

Agjencitë e inteligjencës amerikane nuk kanë prova direkte se pandemia COVID-19 ka buruar nga një incident në Institutin e Virologjisë në Wuhan të Kinës, thuhet në një raport.

Raporti nga zyra e drejtorit të inteligjencës kombëtare, ODNI, ka thënë se komuniteti i inteligjencës së SHBA-së ende nuk mund ta përjashtojë mundësinë se virusi ka ardhur nga një laborator, megjithatë nuk është mundur të zbulohet origjina e pandemisë.

Në raport thuhet tutje se ndërsa është bërë “punë e gjerë” mbi koronavirusin në institutin Wuhan, agjencitë nuk kanë gjetur prova të një incidenti specifik që mund ta ketë shkaktuar shpërthimin, raportoi Guardian.

Zyrtarët e inteligjencës janë shtyrë nga ligjvënësit që të publikojnë më shumë material mbi origjinën e COVID-19. Por, ata vazhdimisht kanë argumentuar vazhdimisht se zyrtarët e Kinës kanë penguar hetimet e pavarura që e kanë bërë të pamundur më pas të përcaktojnë se si ka filluar pandemia.