Qendrat e votimit në Greqi janë hapur të dielën në ora 7 të mëngjesit, ku votuesit do të votojnë për krerët e shtetit.
Derisa dhjetëra parti do të marrin pjesë në këto zgjedhje parlamentare, besohet se gara do të jetë mes kryeministrit aktual Kyriakos Mitsotakis dhe partisë së tij të qendrës së djathtë Demokracia e Re (ND) kundër partisë së krahut të majtë Syriza, të Alexis Tsiprasit, ish-kryeministrit grek.
Ndryshimet në sistemin elektoral në Greqi nënkupton se ka pak gjasa që fituesi të përcaktohet qysh të dielën, dhe se pritet të ketë edhe rund të dytë, raporton agjencia "AP".
Partia që përfundon e para duhet të ketë 45 për qind të votave në mënyrë që të krijojë Qeverinë si e vetme. Por, ka pak gjasa të ndodhë kjo.
Fituesi ka tri ditë kohë për të negociuar koalicionin qeverisës, që e bën edhe më të mundshëm rundin e dytë të votimeve, që do të mbahej më 2 korrik.
Në total po marrin pjesë 32 parti në këto zgjedhje, ndonëse sipas sondazheve vetëm gjashtë kanë gjasa realiste për të marrë tre për qind që garanton ulëse në Parlamentin e Greqisë të përbërë nga 300 deputetë.
Në sondazhet e fundit, partia e Mitsotakisit po shihet si pak më në epërsi, mirëpo aksidenti fatal me trena në shkurt, ku vdiqën 57 persona, ka zbehur epërsinë e tij.