Botë

Sllovakia pezullon përkohësisht importet e grurit nga Ukraina

Sllovakia ka pezulluar përkohësisht importet e grurit nga Ukraina, tha një zëdhënës i Qeverisë për CNN-in.

Vendimi u mor pasi Polonia dhe Hungaria ndaluan importet e grurit dhe produkteve të tjera ushqimore nga Ukraina.

“Sot do të mblidhet një grup pune për të diskutuar këtë temë. Rezultati i takimit do të komunikohet më vonë”, ka thënë ky zëdhënës.

Polonia njoftoi ndalimin e saj të shtunën, duke synuar “të mbrojë tregun polak bujqësor kundër destabilizimit”, tha në një deklaratë zyra e kryeministrit polak.

Ukraina iu përgjigj masës duke thënë se “i vjen keq për vendimin e homologëve të saj polakë”, duke shtuar se është e gatshme të bashkëpunojë me Poloninë në një hetim të çdo abuzimi të mundshëm.

Ministri hungarez i Bujqësisë, Istvan Nagy njoftoi të dielën se Budapesti do të ndalojë përkohësisht importin e drithit, farave vajore dhe produkteve të tjera bujqësore nga Ukraina.

Kur Rusia pushtoi Ukrainën, ajo bllokoi portet dhe rrugët detare të përdorura për të eksportuar grurë ukrainas në Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Nga frika e urisë së përhapur, Bashkimi Evropian hoqi detyrimet për grurin nga Ukraina për të lehtësuar shpërndarjen në ato tregje globale.

Që atëherë, gruri ukrainas ka rrjedhur në Poloni, por pjesa më e madhe e tij ka mbetur në vend, duke ulur çmimin dhe duke bërë që fermerët polakë të pësojnë humbje të konsiderueshme financiare.