Botë

Sindikatat franceze bëjnë thirrje për ashpërsimin e grevave

Sindikatat e punëtorëve në Francë kanë bërë thirrje për greva të mëdha pasi ligji për reformën pensionale mori përkrahjen kushtetuese.

Protestat veçse kanë nisur menjëherë pas vendimit të Këshillit Kushtetues që miratoi kërkesën për ngritjen e moshës së pensionimit nga 62 në 64 vjet.

Presidenti Emmanuel Macron ka insistuar për ligjin, duke thënë se vetëm kështu mund të mbahet gjallë skema pensionale e Francës. Mirëpo, ky ligj ka nxitur protesta masive në krejt Francën. Këshilli Kushtetues ka vendosur për ta ngritur moshën e pensionimit në 64 vjeç.

Qeveria centriste e Macronit e miratoi pa votat e parlamentit, duke përdorur një të drejtë kushtetuese. Këshilli, i cili sigurohet nëse ligjet janë në vijë me Kushtetutën e Francës, ka fuqi për ta refuzuar tekstin plotësisht ose pjesërisht. Ky këshill përbëhet nga tri gra dhe gjashtë burra mes moshave 64 dhe 77 vjeç. Shumica e anëtarëve janë centristë ose konservatorë, përfshirë dy të emëruar nga Macroni.

Ky Këshill gjithashtu ka pamundësuar organizimin e referendumit nga kundërshtarët politikë të këtij ligji.