Botë

Mbi 30 fëmijë ukrainas ribashkohen me familjet pasi ishin dërguar në Rusi e Krime

Femijet ukrainas ribashkohen me familjet

Më tepër se 30 fëmijë janë ribashkuar me familjet e tyre në Ukrainë këtë javë, pas një operacioni të gjatë për t’i risjellë ata në shtëpi nga Rusia apo nga Krimea e okupuar nga rusët, raporton agjencia Reuters.

Fëmijët ishin marrë nga zonat e okupuara nga forcat ruse gjatë luftës në Ukrainë.

Pamjet e nënave duke përqafuar fëmijët ndërsa ata po arrinin në Ukrainë nga kufiri me Bjellorusinë, pas një operacioni kompleks, kanë bërë bujë.

Dasha Rakk, një vajzë 13-vjeçare, ka thënë se ajo dhe motra e saj binjake u pajtuan të largoheshin nga qyteti i okupuar nga rusët Khersoni vitin e kaluar, për shkak të luftës dhe të “shkonin në një kamp pushimi në Krime për disa javë”. Por, me të arritur në Krime, zyrtarët rusë thanë se fëmijët do të qëndrojnë më gjatë.

“Ata thanë se do të na adoptojnë, do të kemi kujdestarë. Kur na thanë fillimisht se do të qëndrojmë më gjatë, ne filluam të qanim”, ka treguar Dasha.

Nëna e Dashas, Natia tha se ajo kishte udhëtuar nga Ukraina për në Krime nëpërmjet Polonisë, Bjellorusisë dhe Moskës për të marrë vajzat. Gadishulli i Krimesë është okupuar nga Rusia që nga viti 2014.

“Ishte shumë e vështirë, por ne vazhduam, nuk flinim natën, flinim nganjëherë në këmbë”, ka thënë ajo, duke e përshkruar rrugëtimin e saj në kamp. “Ishte zemërthyese të shikonim fëmijët që mbetën prapa duke qarë”.

Kievi llogarit se afro 19.500 fëmijë ukrainas janë marrë e dërguar për në Rusi apo Krime që nga shkurti i vitit të kaluar. Është dënuar ky deportim. Moska mohon se ka rrëmbyer fëmijët, duke thënë se vetëm i ka dërguar në vend të sigurt.

“Tash një mision i pestë i shpëtimit është afër kompletimit. Ishte e veçantë sa i përket numrit të fëmijëve që arritëm të kthenim dhe vështirësive që patëm”, ka thënë Mykola Kuleba, themelues i organizatës humanitare “Save Ukraine”.