Finlanda është bërë anëtarja më e re, e 31-ta, e NATO-s, pas mbajtjes së ceremonisë së pranimit të martën, 4 prill, në Bruksel.
Para se të formalizohej anëtarësimi, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, kryen procedurat e shkëmbimit të ftesës dhe pranimit të ftesës.
Pranimi i Finlandës është një pengesë për Vladimir Putinin e Rusisë, i cili vazhdimisht u ankua për zgjerimin e NATO-s përpara pushtimit të tij në shkallë të plotë të Ukrainës.
Gjatësia e kufirit të Rusisë me vendet anëtare të NATO-s tani është dyfishuar.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, paralajmëroi se Rusia do të “shikojë nga afër” atë që ndodh në Finlandë, duke e përshkruar zgjerimin e NATO-s si “shkelje të sigurisë dhe interesave tona kombëtare”.
Finlanda ndan një kufi lindor prej 1,340 km (832 milje) me Rusinë dhe zyrtarisht aplikoi për t'u bashkuar me NATO-n me Suedinë majin e kaluar për shkak të luftës së Rusisë.
Finlanda, Suedia dhe Turqia në qershorin e vitit të kaluar arritën një marrëveshje trepalëshe, por Ankaraja pezulloi negociatat me Suedinë pas një proteste të mbajtur në janar në Stokholm, ku para ndërtesës së Ambasadës turke u dogj një Kuran.
Më saktë, Ankaraja dëshironte që Helsinki dhe Stokholmi të mbajnë qëndrim më të ashpër kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila konsiderohet grup terrorist nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë, si dhe ndaj një grupi tjetër të cilin e fajëson për përpjekjen e vitit 2016 për grusht shteti.
Por, më 9 mars, dy shtetet rinisën bisedimet në Bruksel.