Të paktën 23 persona kanë vdekur si pasojë e një tornadoje që ka goditur shtetin amerikan Mississippit premten mbrëma, raportoi të dielën BBC-ja.
Dhjetëra njerëz të tjerë dyshohet se janë bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.
Tornadoja ka shkaktuar dëme në disa qytete rurale, ku u raportuan mijëra ndërprerje të energjisë elektrike.
Banorët e Rolling Fork, një qytet i vogël në Mississippi perëndimor, kanë thënë se tornado shkaktoi dëme të rënda.
"Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Ky ishte një qytet i vogël shumë i mrekullueshëm, dhe tani është zhdukur”, ka thënë për CNN-in banori vendas, Brandy Showah.
Cornel Knight tha për Associated Press se ai, gruaja e tij dhe vajza e tyre trevjeçare ishin në shtëpinë e një të afërmi në Rolling Fork dhe se ishte "qetësi e frikshme" pak para se të godiste tornado. Ai tha se tornado goditi shtëpinë e një të afërmi tjetër, ku një mur u shemb dhe bllokoi disa njerëz brenda.
Guvernatori i Mississippi, Tate Reeves, ka deklaruar në Twitter se ekipet e kërkimit dhe shpëtimit po ofrojnë mbështetje mjekësore për të prekurit.