Botë

Thirrja për gjykatë, përleshje mes policisë dhe përkrahësve të ish-kryeministrit në Pakistan

Përkrahësit e ish-kryeministrit pakistanez, Imran Khan, kanë sulmuar policinë me tulla dhe gjësende të forta në ditën e dytë të trazirave, pas përpjekjeve të policisë për të arrestuar ish-kryeministrin.

Policia kishte rrethuar shtëpinë e ish-kryeministrit dhe planifikonte ta arrestonte pas refuzimit të tij që të paraqitej në gjykatë për akuzat e mitëmarrjes.

Mirëpo njësitet janë pritur nga përkrahësit e tij që kanë gjuajtur gurë dhe tulla në drejtim të tyre.

Për shkak të numrit të madh të përkrahësve, qeveria ka dërguar polici shtesë në periferi të Lahores, ku jeton Khan.

Ai ka thënë se është i gatshëm të udhëtojë drejt Islamabadit nëse hiqet urdhër-arresti, por policia nuk e ka pranuar ofertën e tij.

Gjatë këtyre trazirave janë lënduar më shumë se 100 policë.

Ndërkaq, qeveria ka mohuar akuzat e ish-kryeministrit se policia ka qëlluar me plumba përkrahësit e tij.

Khan, i cili u rrëzua nga pushteti me votën e mosbesimit gjatë vitit të kaluar, është paraqitur tri herë para gjykatës, por nuk ka shkuar për herën e katërt që është procedurë ligjore para se të fillojë procesi gjyqësor ndaj tij.