Botë

Kremlin: Oscari tregon politizimin e Hollywoodit me dokumentarin “Navalny”

Kremlini zyrtar ka thënë të hënën se dhënia e një çmimi “Oscar” për një dokumentar që ka të bëjë me liderin e burgosur të opozitës ruse, Alexei Navalny, tregon politizim të Hollywoodit, raportoi Reuters.

"Navalny", i cili fitoi çmimin "Academy " për dokumentarin më të mirë artistik të dielën, tregon kritikun e Kremlinit duke u rikuperuar në Gjermani nga helmimi me një agjent nervor në Siberi në vitin 2020 dhe duke punuar me gazetën investigative të lajmeve “Bellingcat” për të demaskuar përgjegjësit.

“Nuk e kam parë filmin, megjithatë guxoj të supozoj se ka sigurt një element të caktuar të politizimit të temës”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. “Hollywoodi nuk është i huaj për politikën, por nuk mund të flas për ndonjë meritë kinematografike të këtij filmi, sepse nuk jam njohur me të”, ka shtuar ai.

Në film, Navalny ia vuri përgjegjësinë për episodin e helmimit një ekipi agjentësh nga shërbimi i sigurisë shtetërore FSB. Rusia mohoi se kishte tentuar ta vriste atë.

Navalny prej kohësh ka qenë një gjemb në këmbë për presidentin Vladimir Putin, i cili kujdeset të shmangë përmendjen e emrit të tij në publik. Ai tani po vuan dënime të kombinuara prej 11-12 vjetësh në një koloni penale të sigurisë së lartë për mashtrim dhe përbuzje të gjykatës mbi akuzat që ai thotë se ishin të sajuara për t'i mbyllur gojën.