Botë

Kryeministrit izraelit i del kundër edhe ushtria

Pjesë e protestës kundër planeve të Qeverisë izraelite që ta dobësojë Gjykatën Supreme janë bërë edhe rezervistët e ushtrisë.

Qindra prej tyre janë barrikaduar para zyrave të një organizate që ka ndihmuar në planin e reformës gjyqësore.

Protestuesit kanë hedhur bankënota false dhe kanë mbajtur banerë kundër organizatës.

Në dy muajt e fundit, Izraeli është përballur me protesta të mëdha dhe të enjten protestuesit kanë nisur siç kanë thënë, “ditën e rezistencës kundër diktaturës”.

Policia është mbledhur në qendër të Tel Avivit për t’i shpërndarë protestuesit.

Protestat kanë qenë paqësore, mirëpo gjatë javës së kaluar, policia ka hedhur gaz lotsjellës dhe ka rrahur protestuesit në qendër të kryeqytetit izraelit.

Plani i kryeministrit Benjamin Netanyahu për ta dobësuar Gjykatën Supreme ka zhytur Izraelin në krizë të thellë politike.

Gjykata Supreme vazhdimisht ka rrëzuar vendimet e Qeverisë dhe Netanyahu me qeverinë e tij është i mendimit se Gjykata ka tejkaluar kompetencat e veta.