Muajt e bombardimeve ndëshkuese me raketa kanë dështuar të thyejnë vendosmërinë e kombit ukrainas. Çfarëdo që Moska mund të ketë planifikuar në ditët, muajt apo vitet e ardhshme, banorët dhe zyrtarët ukrainas thonë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara do të thotë se do të vijnë ditë më të ndritshme. Vizita e presidentit Biden në Ukrainë të hënën ishte ndryshe nga ajo që kishte ndodhur më parë
Presidenti amerikan ishte lideri perëndimor më i shquar që vizitoi Ukrainën që nga pushtimi i Rusisë dhe kryeqyteti u përfshi nga emocionet.
Kur forcat ruse pushtuan Ukrainën një vit më parë dhe miliona njerëz iknin nga Kievi dhe qytete të tjera për siguri, bllokimet e trafikut në kryeqytet folën për kaosin dhe pasigurinë që kishte mbërthyer kombin.
Por të hënën, kur rrugët e kryeqytetit u bënë lëmsh deri në bllokim, trafiku ishte një dëshmi e vendosmërisë së ukrainasve që janë kthyer në Kiev për të rifilluar jetën e tyre, duke e rritur popullsinë e tij në një nivel më të madh se para luftës.

Presidenti Biden në qytet
Dhe rrugët e bllokuara dukeshin si një shqetësim i vogël duke pasur parasysh shkakun: Presidenti Biden ishte në qytet.
"Zyrtarisht, sot ishte bllokimi më i këndshëm i trafikut shumorësh në rrugët e Kievit në të gjithë historinë e pavarësisë", tha Serhiy Koshman, konsulent 41-vjeçar biznesi. Pas kaq shumë vështirësish, kaq shumë traumash, tha ai, vizita e presidentit amerikan ishte një moment për të reflektuar mbi të kaluarën dhe për të qenë shpresëdhënës për të ardhmen.
Koshman shikoi një titull në telefonin e tij të një viti më parë që parashikonte se Kievi mund të binte brenda pak ditësh. Më pas ai nxori një foto nga e hëna, duke treguar presidentin Biden dhe presidentin e tij, Volodymyr Zelensky, të përqafuar në zemër të qytetit.
"Unë madje qava nga lumturia për këtë", tha ai. “Është euforike, diçka psikologjike”.
Turneu i presidentit Biden nëpër Kiev, i mbajtur sekret deri sa mbërriti, filloi në sallat e praruara të Pallatit Mariinskyi, rezidenca zyrtare e presidentit Zelensky. Më pas ai udhëtoi për në Manastirin e Kapelës së Artë të Shën MIhajlit dhe më në fund në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara përpara se të nisej me tren për në Poloni.
Me çdo ndalesë, mbulesa e fshehtësisë rreth vizitës së tij filloi të binte dhe emocioni i ukrainasve rritej.
Pse kjo vizitë ishte ndryshe
Qëkur Rusia pushtoi një vit më parë, këtë javë, Kievi ka pritur shumë kryeministra, presidentë dhe liderë botërorë. Yjet e Hollivudit kanë ardhur për të ofruar mbështetjen e tyre dhe ikona globale nga bota e muzikës kanë organizuar koncerte klandestine thellë në nëntokën e kryeqytetit.
Por vizita e presidentit Biden të hënën ishte ndryshe nga ajo që kishte ndodhur më parë.
Qendra e Kievit u mbyll, rrugët u mbyllën për makina dhe u ngritën me ngut barriera që bllokonin këmbësorët. Në mëngjes herët, mediat sociale ishin të mbushura me thashetheme për një vizitë presidenciale dhe zyrtarët ukrainas lanë të kuptohej se një ngjarje historike ishte duke u zhvilluar.
Në kohën kur Bideni qëndronte jashtë Manastirit Shën Mihajlit me Zelenskyyn, ekipet e kamerave ishin pozicionuar në distancë për të kapur skenën. Imazhet e Bidenit dhe Zelenskyyt duke shëtitur nën rrezet e diellit u shfaqën shpejt në kanalet televizive ukrainase.
Tronditja dhe konfuzioni në javët pas pushtimit të Rusisë janë zbehur shumë kohë më parë. Ukrainasit, në pjesën më të madhe, kanë pushuar së frikësuari nga Moska dhe e kanë kthyer zemërimin e tyre në vendosmëri të thellë për të vazhduar.
Pas disa muajsh këtë dimër, kur dukej se qyteti mund të zhytej në errësirë në çdo moment, pasi bombardimet ruse shkaktuan ndërprerje të vazhdueshme, fundjavën e kaluar, për herë të parë, nuk pati nevojë për ndërprerje të energjisë elektrike në Kiev.
Nën ethet e sulmeve
Por kërcënimi i përditshëm i sulmit është ende i dukshëm.
Ndërsa Bideni dhe Zelenskyy bënë homazhe për ushtarët e rënë ukrainas jashtë manastirit, u dëgjua një alarm për sulm ajror dhe shumë banorë shkuan në strehimore të nëndheshme.
Ditët e fundit, zyrtarët ukrainas kanë shtuar paralajmërimet e tyre se Moska ka të ngjarë të lansojë bombardime ajrore në shkallë të gjerë që të përkojë me njëvjetorin e luftës të premten.
"Gjithçka që rusët kanë në dorë do të përdoret, sepse ata kanë provuar gjithçka", tha gjatë fundjavës Yuriy Ihnat, zëdhënës i Forcave Ajrore të Ukrainës. “E vetmja gjë që ata janë në gjendje të bëjnë është të frikësojnë Ukrainën dhe botën me ndonjë armë apokalipsi”.
Në stacionin e metrosë nën Sheshin e Pavarësisë së Kievit, Viktoria Sulyma, 23 vjeç, po strehohej.
Sulyma ishte përgatitur për të xhiruar një video-kërcimi kur ra alarmi. Ajo dhe miqtë e saj ishin të kujdesshëm, por jo të frikësuar. Ndërsa prisnin sinjalin plotësisht të qartë, ata aplikuan grim në mënyrë që kur të dilnin jashtë, të ishin gati për të kërcyer.
Vizita e Bidenit përkoi me një ditë solemne në Ukrainë. Më 20 shkurt 2014, dhjetëra protestues u vranë nga snajperët dhe oficerët e policisë, ndërsa presidenti i mbështetur nga Kremlini në atë kohë, Viktor F. Yanukovych, u përpoq të merrte pushtetin.
Dëshira e Ukrainës për t'u çliruar nga zgjedha e Rusisë dhe për të shpallur pavarësinë e saj vuri në lëvizje zinxhirin e ngjarjeve që çuan në pushtimin e paprovokuar të Rusisë një vit më parë dhe luftën më të madhe tokësore në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Pëllumbat e paqes
Ndërsa Bideni lëvizte nëpër qytet, Sheshi i Pavarësisë ishte kryesisht i heshtur. Disa gra varën pëllumba letre të bardhë jashtë një kishe përkujtimore. Lule të freskëta u vendosën me emrat e të vrarëve në protestën e 2014-s dhe në mbrëmje u ndezën qirinj në nder të tyre.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se vizita e presidentit amerikan - dhe koha e saj - "i dërgon një mesazh të fuqishëm armikut tonë: Tirania nuk do ta mposhtë Botën e Lirë!"
Mediat ukrainase dhe njerëzit në rrugë i bënë jehonë kësaj ndjenje.
"Bideni tha në Kiev se 'Lufta pushtuese' e Putinit po dështon", shkruante një titull në Ukrainska Pravda.
Muajt e bombardimeve ndëshkuese me raketa kanë dështuar të thyejnë vendosmërinë e kombit. Dhe, edhe pse luftimet u ndezën në të gjithë Ukrainën lindore dhe jugore, zotimi i Bidenit për më shumë ndihmë ushtarake i dha besim këtij kombi të lodhur nga lufta.
Çfarëdo që Moska mund të ketë planifikuar në ditët, muajt apo vitet e ardhshme, banorët dhe zyrtarët ukrainas thanë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara do të thotë se do të vijnë ditë më të ndritshme.
Për muaj të tërë, St. Michael ishte detyruar të mbante monumentet e tij në errësirë për të ruajtur energjinë. Ndërsa nata binte të hënën dhe Bideni mori rrugën drejt kufirit polak, dritat u ndezën për të ndriçuar manastirin.
"Ne, në fakt, i kemi mbijetuar dimrit, të cilit po i vjen fundi", tha Hanna Mailar, zëvendësministre e Mbrojtjes. "Është koha për të fituar".
Përktheu: Forca Jashari