Botë

Gjithnjë e më pak shpresë për të mbijetuar

Çdo herë e më shpesh, ekipet e shpëtimit nxirrnin trupat e të vdekurve nga rrënojat. Në Antakya më shumë se 100 trupa të mbuluar me batanije dhe pritej të identifikoheshin, qëndronin në morgun e përkohshëm jashtë një spitali.

Mijëra njerëz që kanë humbur shtëpitë e tyre nga tërmeti shkatërrimtar janë mbledhur përreth zjarreve dhe kërkonin bukë e ujë në të acarin e madh, tri ditë pasi dridhjet e tokës lënë të vdekur më shumë se 20 mijë të vdekur në Turqi dhe Siri.

Ekipet emergjente kanë përdorur kazmat, lopatat dhe çekanët për të depërtuar në beton dhe armaturë – shpesh nxirrnin të mbijetuar. Në disa vende, ata përqendroheshin në shkatërrimin e ndërtesave të paqëndrueshme.

Teksa lajmet për mrekullitë e shpëtimit ngjallnin shpirtin, realiteti i hidhur ishte se mijëra të mbijetuar po përjetojnë tmerrin me sy. Numri i të vdekurve ka tejkaluar shifrën e viktimave të vitit 2011 nga tërmeti në Japoni kur la të vdekur 18 mijë e 400 njerëz.

Në veriperëndim të Sirisë, kamionët e parë me ndihma kanë arritur në rajonet e kontrolluara nga rebelët. Kjo ka shpërfaqur vështirësitë për të ndihmuar njerëzit në shtetin e përfshirë në luftë civile. Në qytetin turk të Antakyas, dhjetëra njerëz kanë pritur për ndihma para kamionit nga i cili shpërndaheshin pallto dhe veshmbathje të tjera.

I mbijetuari Ahmet Tokgoz i ka bërë thirrje Qeverisë që të evakuojë njerëzit nga rajoni i goditur nga tërmeti. Teksa mijëra prej tyre që kanë humbur shtëpitë janë strehuar nëpër tenda, stadiume dhe qendra të përkohshme, të tjerët kanë kaluar natën në qiellin e hapur.

“Është e pamundur të jetosh këtu në këtë dimër. Nëse njerëzit nuk kanë vdekur nga rrënojat, do të vdesin nga i ftohti”, ka thënë Tokgoz.

I ftohti i madh

Moti i ftohtë dhe dëmtimi i rrugëve dhe aeroporteve ka përkeqësuar reagimin në Turqi dhe Siri, shtetin e përfshirë në luftë civile nga e cila janë zhvendosur miliona njerëz. Shumë njerëz në Turqi janë ankuar për reagimin e ngadaltë të autoriteteve – perceptim që mund të dëmtojë presidentin Recep Tayyip Erdogan në kohën e betejës së vështirë për zgjedhjet e muajit maj.

Në qytetin turk të Elbistanit kanë arritur të mbajnë në këmbë rrënojat e një shtëpie dhe të nxjerrin nga aty një të moshuar.

Ndërkaq, ekipet emergjente kanë bërë thirrje për qetësi me shpresën se do të dëgjojnë thirrjet për ndihmë nga rrënojat. Organizata “Helmetat e Bardha” kanë thënë se çdo sekondë do të thotë shpëtim i jetës.

Mirëpo çdo herë e më shpesh, ekipet e shpëtimit nxirrnin trupat e të vdekurve nga rrënojat. Në Antakya më shumë se 100 trupa të mbuluar me batanije dhe që pritej të identifikoheshin, qëndronin në morgun e përkohshëm jashtë një spitali.

Me shpresat që po shuheshin për të gjetur njerëz të gjallë, ekipet e shpëtimit në shumë vende nisën të shembnin ndërtesat. Në shumë të tjera, ekipet thjesht niseshin për diku tjetër.

Lutja e të mbijetuarit

Në Adiyaman, një banor i luste ekipet e shpëtimit që të shkonin te rrënojat e shtëpisë së tij, në të cilat ishin ngujuar familjarët. Ekipi ka refuzuar, duke thënë se nuk ka asnjë të gjallë dhe se duhej të bënin prioritet zonat ku mund të ketë të mbijetuar.

Një burrë, i cili ka refuzuar të identifikohet nga frika për hakmarrje nga Qeveria, ka thënë: “Si mund të shkoj në shtëpi dhe të fle? Vëllai im është këtu. Mund të jetë ende gjallë”.

Në Nurdagi, para shumë syresh – kryesisht familjarë të njerëzve të ngujuar brenda – shikuan makineritë e rënda teksa shkatërronin ndërtesën gjashtëkateshe.

Mehmet Yilmaz shikonte nga distanca, duke llogaritur se deri në 80 banorë ende ishin nën rrënoja – por nuk kishte gjasa që ndonjëri të nxirrej i gjallë.

“Nuk ka shpresë”, thotë Yilmaz, 67-vjeçar, i cili kishte gjashtë të afërm, kryesisht foshnjën tremuajshe të ngujuar brenda. “Nuk mund të humbim shpresën te Zoti, por ata kanë hyrë me pajisje të dëgjimit dhe qenë dhe nuk kishte asgjë”.

Autoritetet turke kanë ndërprerë operacionet të enjten në qytetet Kilis dhe Sanliurfa, qytete më pak të dëmtuara nga tërmeti.

Përgjatë kufirit me Sirinë ka arritur ndihma. Organizatat e vogla humanitare kanë dërguar pako me ndihma, por kamionët e parë të Kombeve të Bashkuara kanë arritur të enjten. Vetëm OKB-ja është e autorizuar për të shpërndarë ndihma në pjesën veriore të Sirisë.

Zyrtarët e OKB-së kanë thënë se duhet më shumë ndihma dhe kanë kërkuar që çështja humanitare të jetë prioritet para politikës.

Shkalla e shkatërrimit dhe atyre që po vuanin nëpër tenda mbetet shumë e lartë. Autoritetet turke kanë thënë të enjten se numri i të vdekurve është ngritur në 16 mijë e 546 dhe 64 mijë të lënduar. Ndërkaq në Siri është raportuar për 3 mijë e 162 të vdekur nga tërmeti.

Mbetet e paqartë se sa njerëz të vdekur nuk janë llogaritur ende në dy shtetet.

Në mesin e atyre që mungojnë janë edhe anëtaret e një ekipit të volejbollit, së bashku me mësuesit dhe prindërit që kishin qëndruar në hotelin tashmë të rrënuar. Autoritetet të enjten kanë zbuluar trupat e tre personave, dy mësues dhe një nxënëse.

Agjencia turke për menaxhimin e katastrofave ka bërë të ditur se 110 mijë pjesëtarë të kërkim-shpëtimit janë duke marrë pjesë në operacion me më shumë se 5 mijë automjete.

Të enjten, anëtarët e ekipit amerikan për reagim dhe menaxhim të emergjencave kanë arritur në Turqi, për të nisur misionin e shpëtimit të njerëzve. Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka thënë se ka dërguar ekipe për kërkime në zona urbane, por edhe zjarrfikësit më të njohur të Los Angelesit, Kalifornisë dhe Virginias. Ekipi amerikan përbëhet prej 159 personave, 12 qenve të shpëtimit dhe 77 mijë kilogramë pajisje të veçanta.

Por ndihma ndërkombëtare për Sirinë ishte shumë më e rrallë. Përpjekjet janë penguar nga lufta e vazhdueshme dhe izolimi i rajonit të kontrolluar nga rebelët përgjatë kufirit që është i rrethuar nga forcat qeveritare të mbështetura nga Rusia. Vetë Siria është vend ndërkombëtar nën sanksionet perëndimore të lidhura me luftën.

Dërgesa e OKB-së ishte planifikuar para se të ndodhte tërmeti, por u vonua për shkak të dëmtimit të rrugës. Zyrtarët e OKB-së kanë thënë se do të vinin më shumë kamionë.

Erdogani, i cili ka vazhduar të vizitojë zonat e goditura nga tërmeti, ka tentuar të zbehë kritikat ndaj reagimit – duke premtuar përmirësim të gjendjes. Ai përsëri ka thënë se të mbijetuarve të tërmetit do t’u rindërtohen shtëpitë brenda një viti. Ai ka thënë se Qeveria do të shpërndajë nga 532 dollarë për familjet e prekura nga tërmeti.

Përgatiti: Gent Mehmeti