Botë

Talebanët akuzohen për vrasjen e 59 besimtarëve në xhami

Sulm ne xhami

Shumica e viktimave ishin policë. Nuk ishte e qartë se si bomba u fut në kompleksin e rrethuar me mure, ku ndodhet selia e policisë në qytetin veriperëndimor Peshawar. Xhamia ndodhet në një zonë të sigurisë së lartë me ndërtesa të tjera qeveritare

Një sulm vetëvrasës goditi një xhami të mbushur me besimtarë brenda një kompleksi policie në Pakistan të hënën, duke shkaktuar shembjen e çatisë dhe duke vrarë të paktën 59 persona dhe plagosur më shumë se 150 të tjerë, thanë zyrtarët.

Shumica e viktimave ishin policë. Nuk ishte e qartë se si bomba u fut në kompleksin e rrethuar me mure, ku ndodhet selia e policisë në qytetin veriperëndimor Peshawar. Xhamia ndodhet në një zonë të sigurisë së lartë me ndërtesa të tjera qeveritare.

Sarbakaf Mohmand, komandant për talebanët pakistanezë, i njohur gjithashtu si Tehreek-e-Taliban Pakistan ose TTP, në një postim në Twitter mori përgjegjësinë për sulmin.

Por disa orë më vonë, zëdhënësi i TTP, Mohammad Khurasani e distancoi grupin nga bombardimet, duke thënë se nuk ishte politika e tij të synonte xhamitë, medresetë dhe vendet fetare, duke shtuar se ata që marrin pjesë në akte të tilla mund të përballeshin me veprime ndëshkuese sipas politikës së TTP-së. Deklarata e tij nuk adresonte pse një komandant i TTP-së kishte marrë përgjegjësinë për bombardimin.

“Përmasat e mëdha të tragjedisë njerëzore janë të paimagjinueshme. Ky nuk është më pak se një sulm ndaj Pakistanit”, shkroi në Twitter kryeministri Shahbaz Sharif, i cili vizitoi të plagosurit në Peshawar dhe u zotua për "veprim të ashpër" kundër atyre që qëndrojnë pas bombardimeve. Ai shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, duke thënë se dhimbja e tyre “nuk mund të përshkruhet me fjalë”.

Pakistani, i cili është kryesisht myslimanë sunitë, ka përjetuar rritje të sulmeve militante që nga nëntori, kur talebanët pakistanezë i dhanë fund armëpushimit të tyre me forcat qeveritare.

Në fillim të këtij muaji, talebanët pakistanezë pretenduan se një nga anëtarët e tyre qëlloi dhe vrau dy oficerë të inteligjencës, duke përfshirë drejtorin e krahut kundër terrorizmit të agjencisë së spiunazhit me bazë ushtarake të vendit, Inteligjenca Ndër-Shërbimeve. Zyrtarët e sigurisë thanë të hënën se personi i armatosur u gjurmua dhe u vra në një shkëmbim zjarri në veriperëndim pranë kufirit afgan.

TTP-ja është e ndarë, por aleat e ngushtë e talebanëve afganë. TTP-ja ka zhvilluar një kryengritje në Pakistan në 15 vjetët e fundit, duke kërkuar zbatim më të rreptë të ligjeve islame, lirimin e anëtarëve të saj në paraburgim qeveritar dhe një reduktim të pranisë ushtarake pakistaneze në zonat e provincës Khyber Pakhtunkhwa që e ka përdorur prej kohësh si bazë të saj.

Sulmi i së hënës në një xhami sunite brenda objektit të policisë ishte një nga sulmet më vdekjeprurëse ndaj forcave të sigurisë në vitet e fundit.

Më shumë se 300 besimtarë ishin duke u falur në xhami, ndërsa të tjerë po afroheshin, kur sulmuesi shpërtheu jelekun e tij shpërthyes. Shumë u plagosën kur çatia u rrëzua, sipas Zafar Khan, oficer lokal policie, dhe shpëtimtarët duhej të hiqnin grumbujt e mbeturinave për të arritur tek adhuruesit ende të bllokuar nën rrënoja.