Botë

Rusia urdhëron ambasadorin estonez që të largohet nga vendi

Ambasadori i Estonisë në Rusi është urdhëruar të largohet nga vendi deri më 7 shkurt, raporton BBC. Kremlini e ka akuzuar atë për “rusofobi”.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se Estonia “qëllimshëm ka shkatërruar” marrëdhëniet me Moskën.

Margus Laidre është ambasadori i parë që dëbohet nga Rusia që kur forcat ruse nisën pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt të vitit të kaluar.

Estonia ka reaguar duke kërkuar nga ambasadori rus që të largohet po ashtu deri më 7 shkurt.

Lëvizja e Rusisë kundër Laidres vjen pasi Estonia ka urdhëruar që të reduktohet stafi i Ambasadës së Rusisë në Tallinn.

Moskës i është thënë të reduktojë Ambasadën nga 17 në 8 deri në fund të janarit.

Në komunikatën e lëshuar në janar, Estonia ka thënë se stafi i Ambasadës së Rusisë ka ndaluar së kërkuari avancimin e marrëdhënieve mes dy shteteve që kur nisi pushtimi rus i Ukrainës.