Shefi i sigurimit i Andrew Tateit ka dhënë një rrëfim zhgënjyes për gratë që rrethuan ndikuesin kontrovers të rrjeteve sociale, pavarësisht nga një hetim policor mbi pretendimet për sulme seksuale dhe shfrytëzim ndaj tij. Tate i ka mohuar të gjitha akuzat.
Në një intervistë ekskluzive me BBC-në, Bogdan Stancu tha se më shumë se 100 gra kishin kaluar nëpër kompleksin e Tate në Bukuresht, që kur ai filloi punën atje dy vjet më parë.
Ish-oficeri i inteligjencës së policisë tha se nganjëherë iu kërkua të largonte fizikisht gratë nga shtëpia e Tate për shkak se ishin "shumë të dehura" ose "duke krijuar probleme", por se nuk ishte përdorur kurrë forcë.
Andrew Tate dhe vëllai i tij Tristan janë aktualisht në paraburgim 30-ditor në Rumani, ndërsa policia po heton akuzat për trafikim dhe përdhunim.
Rasti ka vënë në qendër të vëmendjes qëndrimet brenda shtëpisë së tyre në Bukuresht dhe mënyrën se si gratë trajtoheshin atje.
Stancu thotë se personaliteti publik i shefit të tij është e kundërta e karakterit të tij real. Por pikëpamjet e tij për modelet, të dashurat dhe femrat e tjera në shtëpinë Tate tashmë dihen.
Shumica e grave që kaluan kohë me vëllezërit në kompleksin e tyre ishin nën 25 vjeç, tha ai, dhe shpenzimet e tyre u paguan nga Andrew Tate.
"Disa nga vajzat e keqkuptuan realitetin dhe besuan se do të ishin gruaja e tij e ardhshme. Kur e kuptuan realitetin, është e lehtë të shndërrohesh nga mik në armik dhe të bësh një deklaratë në polici”, është shprehur ai.
Mungesa e besimit të Bogdan Stancu në gratë që akuzojnë Andrew Tate është në kontrast të fortë me besnikërinë që ai ndjen për punëdhënësin e tij.
"Unë kurrë nuk dyshoj në Andrew”, është shprehur ai.
Javën e kaluar Policia ka bastisur disa prona, përfshirë një vilë të cilën e posedon Tate në veri të Rumanisë.
Tate u arrestua së bashku me vëllain e tij Tristan të enjten si pjesë e një hetimi mbi akuzat për trafikim njerëzor dhe përdhunim.
Autoritetet dyshojnë se dyshja, së bashku me dy burra rumunë, drejtonin "një grupi krimi të organizuar".