Departamenti i Brendshëm i SHBA-së njoftoi të enjten se u ka dhënë emra të rinj pesë vendeve që më parë përfshinin një term racist për një grua vendase amerikane.
Vendet e riemërtuara janë në Kaliforni, Dakota e Veriut, Tenesi dhe Teksas, duke përfunduar kështu një proces njëvjeçar për të hequr fjalën historikisht fyese "squaw" nga emrat gjeografikë në të gjithë vendin.
“Fjalët kanë rëndësi, veçanërisht në punën tonë për të siguruar që tokat dhe ujërat publike të kombit tonë të jenë të aksesueshme dhe mikpritëse për njerëzit e të gjitha prejardhjeve”, tha në një deklaratë sekretarja e Brendshme, Deb Haaland. Ajo e quajti fjalën "të dëmshme".
Haaland, e cila e mori detyrën në vitin 2021, është amerikania parë vendase që drejton një agjenci të kabinetit.
Në shtator, Departamenti i Brendshëm njoftoi votën përfundimtare mbi propozimet për të ndryshuar emrat e gati 650 vendeve që përmbanin fjalën “squaw”. Agjencia kreu një rishikim shtesë të shtatë lokacioneve, të cilat të gjitha konsideroheshin si vende të banuara. Pesë prej tyre u ndryshuan në njoftimin e së enjtes.