Kryetarja e shoqatës mjekësore të Turqisë është dënuar për përhapjen e propagandës terroriste lidhur me thirrjen e saj për një hetim mbi përdorimin e dyshuar të armëve kimike nga ushtria kundër militantëve kurdë.
Sebnem Korur Fincanci u dënua me afër tre vjet burgim, por sipas ligjit turk ajo ka të drejtën e lirimit.
Ajo pritet të lirohet të mërkurën, më shumë se dy muaj pas arrestimit, raportoi BBC.
Aktivistët për të drejtat e njeriut kanë thënë se dënimi i saj ishte një formë për të heshtur atë dhe aktivistët e tjerë.
Fincanci, specialiste e forenzikës, u arrestua pasi bëri thirrje për hetim të pavarur në pretendimet se ushtria turke ka përdorur armë kimike të ndaluara kundër militantëve kurdë në Irak.
Qeveria turke fuqishëm ka mohuar përdorimin e këtyre armëve dhe Fincanci është akuzuar për përhapje të propagandës terroriste dhe fyerje të Turqisë.