Estonia i ka kërkuar Rusisë që të ulë numrin e diplomatëve dhe zyrtarëve në ambasadën e këtij shteti, raportoi TheGuardian të mërkurën.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Estonisë, Rusia është paralajmëruar që të përgjysmojë numrin e stafit diplomatik nga 1 shkurti.
“Estonia e konsideron parimin e barazisë shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet tona me Rusinë. Duke pasur paraysh se, në dritën e këtij agresioni, ambasada ruse nuk është e angazhuar në promovimin e marrëdhënieve estonezo-ruse. Ne besojmë se madhësia aktuale (e përfaqësimit diplomatik v.j.) nuk është e justifikuar. Tani kemi vendosur kufi për numrin e diplomatëve që punojnë në Estoni për të arritur barazinë”, u tha në njoftimin e Ministrisë, transmetoi KOHA.
Aktualisht, tetë diplomatë dhe 15 zyrtarë punojnë në ambasadën e Estonisë në Moskë, ndërsa 21 diplomatë rusë dhe 23 zyrtarë janë të vendosur në Tallinn.
Estonia është anëtare e NATO-s dhe qëkur nisi agresion rus, i ka dalë krah Ukrainës dhe presidentit Volodymyr Zelensky. Kreu i Estonisë, Alar Karis, telefonoi të martën Zelenskyn për t'i shprehur mbështetje të plotë, derisa tha se do të bisedojë me aleatët për furnizim të ushtrisë ukrainase me sisteme të reja mbrojtëse.