Botë

Kroacia po përgatitet ta bëjë euron valutë zyrtare nga 1 janari

Kroacia - euro

Kroacia po përgatitet për vitin 2023, që të integrohet plotësisht me shtetet më të pasura të botës, në një arritje historike tri dekada që nga ndarja nga ish-Jugosllavia, raporton agjencia AP.

Më 1 janar, shteti i vogël i Ballkanit me rreth 4 milionë banorë, i njohur për bregdetin të shkëlqyer në Adriatik dhe po ashtu ishujt mbresëlënës, do t’i bashkohet zonës së lëvizjes së lirë Schengen, ku shumica e qytetarëve të BE-së nuk janë subjekt i kontrolleve të pasaportave dhe është shteti i 20-të që e zëvendëson valutën nacionale, kuna, me atë euro.

“Pas dhjetë vjetëve si anëtar të BE-së, ne qëllimshëm, siç kemi planifikuar, dhe me meritë kemi arritur në fazën ku do të bëhemi shteti i vetëm në histori që i bashkohet në të njëjtën ditë zonave Schengen dhe asaj euro”, ka thënë kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq. “Disa shtete kanë arritur dy synimet një pas tjetër brenda një periudhe relativisht të shkurtër. Por, asnjëra nuk ka arritur të dyja renda një dite”.

Plenkoviq ka thënë se arritja më e madhe e Kroacisë është se ka fituar besimin e ministrave të financave të BE-së që “po vendosin fatin tonë”.

Për ta adoptuar euron, Kroacia është dashur të plotësojë, që kur iu bashkua BE-së në vitin 2013, disa kushte strikte ekonomike, përfshirë të ketë një normë stabile të këmbimit, inflacion të ulët dhe shpenzime të shëndosha publike.

Pasi ministrat e financave të BE-së i dhanë dritën e gjelbër Kroacisë në korrik që t’i bashkohet eurozonës, Banka Qendrore e Kroacisë është dashur të bëjë përgatitje të gjëra për kalimin në monedhën e përbashkët evropiane.

“Kemi siguruar kartëmonedha euro për mbushje dhe furnizim të plotë për vitin e ardhshëm. Jemi gati me përfundimin e shtypjes së 600 milionë monedhave të nevojshme; rreth 93 për qind të këtij numri ose 560 milionë monedha ishin prerë tashmë”, ka thënë Tihomir Mavricek drejtor ekzekutiv i Departamentit të parave te Banka Qendrore e Kroacisë.

Mavricek tha se kroatët kanë filluar të përgatiten për tranzicionin sapo u mor vendimi verën e kaluar.

Shumica e kroatëve janë të lumtur të pranojnë euron. E disa tjerë kanë lidhje me kunan, monedha që ishte vendosur për të siguruar autonominë monetare të Kroacisë pas ndarjes nga ish-Jugosllavia.

“Kuna ishte simbol i pavarësisë së Kroacisë, ne të gjithë kemi qenë të lidhur emocionalisht dhe ishte e vështirë të hiqnim dorë. Por, çfarë të bëjmë, jeta vazhdon”, thotë qytetari Vladislav Studar.