Botë

Irani pranon se ka furnizuar me dronë Rusinë

Irani pranoi të shtunën se po furnizonte dronë për Rusinë. Ministri i Jashtëm, Hossein Amirabdollahian, ka thënë se Republika Islamike kishte furnizuar me një numër të kufizuar dronësh Moskën përpara luftës në Ukrainë, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

Megjithatë, kreu i diplomacisë mohoi se Irani kishte dërguar armë ose raketa që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit.

Kievi dhe qeveria amerikane kohët e fundit kritikuan përdorimin e dronëve "kamikaze" nga Irani në luftën kundër Ukrainës.

Teherani thuhet se ka dërguar personel ushtarak në Krimenë e pushtuar nga Rusia për të trajnuar rusët në përdorimin e dronëve dhe për të ofruar ndihmë teknike.

Deri më tani, Teherani ka mohuar dorëzimin e këtyre armëve.

Ushtria e Ukrainës thotë se deri më tani ka rrëzuar qindra dronë Shahed-136 të prodhuar nga Irani.

Rusia besohet se ka porositur 2400 dronë të tillë.

Irani mban marrëdhënie të mira me Rusinë.

Për t'iu kundërvënë sanksioneve perëndimore, Teherani kërkon të sigurojë bashkëpunim ekonomik dhe ushtarak, veçanërisht me Kinën dhe Rusinë.