Botë

Gjashtë fëmijë të vrarë e 17 të plagosur nga sulmi i ushtrisë birmane në një shkollë

Të paktën gjashtë fëmijë u vranë dhe 17 u plagosën kur helikopterët e ushtrisë qëlluan në një shkollë në Birmani, kanë raportuar mediat lokale të martën.

Ushtria tha se hapi zjarr sepse rebelët po përdornin ndërtesën për të sulmuar forcat e saj.

Birmania është përfshirë nga dhuna që kur ushtria përmbysi një qeveri të zgjedhur në fillim të vitit të kaluar. Lëvizjet opozitare, disa prej tyre të armatosura, janë shfaqur që atëherë në të gjithë vendin, të cilat ushtria i ka kundërshtuar me forcë vdekjeprurëse, raportoi CNN të martën.

Sipas raportimeve në portalet e lajmeve Mizzima dhe Irrawaddy, helikopterët e ushtrisë kishin hapur zjarr mbi shkollën e vendosur në një manastir budist në një fshat.

Disa fëmijë u vranë në vend nga të shtënat, ndërsa të tjerët vdiqën pasi trupat hynë në fshat, thonë raportet.

Dy banorë, të cilët nuk pranuan të identifikoheshin për shkak të shqetësimeve për sigurinë, thanë se trupat u transportuan më vonë nga ushtria në një vendbanim 11 km larg dhe u varrosën.

Imazhet e postuara në mediat sociale më vonë treguan vrimat e plumbave dhe njolla gjaku në një ndërtesë shkolle.