Botë

Pas kundërofensivës ukrainase, Rusia ul intensitetin e luftimeve në Kharkiv

Ushtria ukrainase tha se granatimet ruse në rajonin e Kharkivit janë ulur ndjeshëm që nga suksesi i kundërofensive atje.

Megjithatë, në përditësimin e tij operacionial, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë, tha se zjarri i artilerisë ruse vazhdoi të bombardonte zonat e Donetskut, veçanërisht rreth Bakhmutit dhe Aviivkas, shkruan BBC-ja të mërkurën. Ai tha gjithashtu se përpjekjet ruse për të përparuar në disa rrethe të Donetskut kanë hasur në rezistencë.

Shtabi raportoi për bombardime të gjera ruse të vendbanimeve në rajonin e Zaporizhzhias, ku forcat ruse po u rezistojnë përpjekjeve të forcave ukrainase për të marrë territor në drejtim të Mykolaivit dhe Khersonit.

Ushtria tha se rusët po përpiqeshin të tërhiqnin sistemet e mbrojtjes ajrore S-300 “thellë në territoret e pushtuara përkohësisht dhe në territorin e Federatës Ruse”.

Mbrojtja ajrore ruse është bërë më e prekshme që kur Ukraina bleu raketën kundër rrezatimit me shpejtësi të lartë të prodhuar nga SHBA-ja.

Kërcënimi i sulmeve me raketa lundruese ruse vazhdon ende.

Kyrylo Tymoshenko, nënkryetari i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, tha në Telegram se tetë raketa ruse të lundrimit ishin drejtuar në qytetin e Kryvyi Rih të mërkurën. Ai tha se ata synuan infrastrukturën kritike civile, por nuk kishte viktima.