Botë

Zelensky thotë se Ukraina ka rimarrë 2000 kilometra katrorë territor

Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se forcat e tij kanë rimarrë 2000 kilometra katrorë tokë, në një kundërofensivë të shpejtë në lindje të Ukrainës, raporton BBC.

Përditësimi i tij i fundit, nëse konfirmohet, nënkupton se Ukraina ka dyfishuar rikthimin e tokës brenda 24 orëve.

Forcat e Ukrainës janë futur në qytetet kyçe Izyum dhe Kupiansk të shtunën. Mirëpo, inteligjenca e Britanisë së Madhe ka paralajmëruar se luftimet po vazhdojnë në këto qytete.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka konfirmuar tërheqjen e trupat ruse për t’u rigrupuar në territore që po mbahen nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Ushtria e Rusisë ka konfirmuar tërheqjen e trupave edhe nga qyteti Balaklyia. Ka thënë se e ka bërë në tentim për t’u forcuar në frontin në Donetsk. Forcat ukrainase u futën në këtë qytet të premten.

Ndërkohë, administrata ruse e vendosur në Kharkiv ka rekomanduar qytetarët që të evakuohen për në Rusi, që të “shpëtojnë jetët e tyre”.

Sipas disa pamjeve në rrjete sociale, shihen kolona të gjata të qytetarëve rusë duke u larguar.

Ndërkohë kryetari i rajonit Belgorod në Rusi, që gjendet në kufi me Ukrainën, ka thënë se janë vendosur kampe për qytetarët që vijnë nga Ukraina.

Ritmi i kundërsulmit jo vetëm që e ka zënë në befasi Rusinë, por ka befasuar edhe vet ukrainasit.

Mirëpo, rusët ende e mbajnë të pushtuar një të pestën e Ukrainë. Shumë kishin pritur një përfundim të shpejtë të pushtimit, kur nisi ofensiva më 24 shkurt.