Ministria ruse ka thënë se lëvizja e ushtrisë është bërë me qëllim që të arrihen planet e operacionit ushtarak për çlirimin e Donbasit, një prej rajoneve më të mëdha të Ukrainës, të cilin Rusia e ka shpallur të pavarur. Lajmi për tërheqjen kinse për t’u përqendruar në Donetsk është arsyetim i ngjashëm që Rusia ka përdorur kur ka tërhequr forcat nga rajoni i Kievit në fillim të vitit kur ata dështuan ta pushtonin kryeqytetin.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar të shtunën se ka tërhequr trupat e saj nga dy zona të rajonit të Kharkivit, në të cilat ukrainasit kanë avancuar përpara gjatë kësaj jave.
Tërheqja e ushtrisë ruse është bërë pas disa ditë luftimesh të suksesshme nga Ukraina në jug të Kharkivit, qytetit të dytë më të madh në vend. Ky vlerësohet të jetë suksesi më i madh në frontin e luftës nga forcat ukrainase që kur pamundësuan pushtimin rus të kryeqytetit Kiev në fillim të luftës.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se ushtria do të rigrupohet nga zonat Balakliya dhe Izuym për ta pushtuar rajonin e Donetskut. Izyum është bazë e madhe e forcave ruse në rajonin e Kharkivit dhe në fillim të javës u publikuan video të banorëve që gëzoheshin me hyrjen e forcave ruse në Balakliya.
Ministria ruse ka thënë se lëvizja e ushtrisë është bërë me qëllim që të arrihen planet e operacionit ushtarak për çlirimin e Donbasit, një prej rajoneve më të mëdha të Ukrainës, të cilin Rusia e ka shpallur të pavarur.
Lajmi për tërheqjen kinse për t’u përqendruar në Donetsk është arsyetim i ngjashëm që Rusia ka përdorur kur ka tërhequr forcat nga rajoni i Kievit në fillim të vitit kur ata dështuan të pushtonin kryeqytetin.
Zyrtarët ukrainas të shtunën kanë konfirmuar fitoret në kundërsulmet kundër forcave ruse në rajonin e Kharkivit, duke thënë se ushtria ka bllokuar një vijë të rëndësishme të furnizimeve ushtarake ruse në Izyum.
Ministria e Jashtme e Ukrainës ka deklaruar se ushtria ka rimarrë kontrollin e Kupianskut, qytet afër Izyumit, që shërbente për furnizimet e ushtrisë ruse. Për të konfirmuar këtë lajm, Ministria ka publikuar edhe fotografitë e ushtarëve ukrainas në ndërtesën qeveritare në Kupiansk.
Të shtunën, Ministria britanike e Mbrojtjes u ka thënë mediave se besonte që ukrainasit kanë avancuar 50 kilometra në jug të Kharkivit dhe ka bërë të ditur se ushtria ruse përreth Izyumit është e izoluar pothuajse tërësisht.
“Forcat ruse janë zënë në befasi. Zona është mbajtur me lehtësi dhe njësitë ukrainase kanë rrethuar disa qytete”, ka njoftuar ushtria britanike, e cila ka thënë se humbja e Kupianskut do të ndikojë keq në furnizimin e ushtrisë ruse.
Instituti për Studime të Luftës, me bazë në Washington, duke iu referuar betejave të fituara nga ukrainasit, ka vlerësuar se Kievi ka marrë kontrollin e 2 mijë e 500 kilometrave katrorë në lindje të vendit. Instituti ka vlerësuar se ka keqorganizim të forcave ruse dhe për këtë shkak ukrainasit kanë avancuar me lehtësi. Ky institut ka publikuar edhe disa fotografi të të burgosurve rusë, që janë kapur gjatë avancimit përreth Izyumit.